Pezullimi i punës së Kuvendit nga Gjykata Kushtetuese deri më 31 mars i ka shkaktuar pengesa punës së ekzekutivit, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka. Ai ka theksuar se kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në mosrealizimin e disa premtimeve të qeverisë, përfshirë miratimin e ligjeve dhe masave ekonomike. Sipas Manxhukës, për disa iniciativa tashmë kanë filluar procedurat, ndërsa të tjerat pritet të miratohen brenda afateve të arsyeshme kohore
Pesë vendimet që kryeministri Albin Kurti ka premtuar se do t’i ndërmarrë menjëherë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit ende nuk janë realizuar të gjitha.
Sipas zyrtarëve nga ekzekutivi, një pjesë e tyre janë bllokuar për shkak të pezullimit të punës së Kuvendit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPara zgjedhjeve, Kurti pati deklaruar se pesë vendimet e para të tij do të jenë: miratimi i buxhetit prej 4 miliardë eurosh, procedimi i Ligjit për Çmime Tavan, procedimi i plotësim-ndryshimit të ligjit që heq kufizimin e punësimit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që përfitojnë beneficione, vendimi për pagën e 13-të për shërbyesit publik dhe miratimi i Pakos për Përballje me Inflacion 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh.
Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka thënë se masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës deri më 31 mars ka ndikuar në realizimin e një pjese të këtyre zotimeve.
“Dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, që për bindjen tonë të thellë është jokushtetues, e më pas edhe pezullimi edhe i Kuvendit nga ana e Gjykatës Kushtetuese ndikon një pjesë të rëndësishme të punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmbushjen e agjendës legjislative, e po ashtu marrëveshjet ndërkombëtare. Këtu hyn edhe ndryshimi i ligjit që kufizon veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që përfitojnë beneficionin edhe të punojnë”, ka thënë Manxhuka.
Në Qeveri kanë theksuar se miratimi i Ligjit për Buxhetin, që përfshinë edhe pagën e 13 janë miratuar muajin e kaluar.
E për disa nga zotimet e tjera, kanë thënë se tashmë kanë filluar procedurat.
“Po ashtu muajin e kaluar, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar inicimin e procedurës për projektligjin për çmimet tavan. Kurse, miratimi i Pakos për Përballje me Inflacion 2.0 do të shqyrtohet dhe miratohet me kohë brenda një afati sa më të arsyeshëm kohor”, ka thënë Manxhuka.
E kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Qeveria ka nisur një takim të përbashkët dyditor të kabinetit qeveritar, me synimin që zotimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore të shndërrohen në program konkret qeverisës për mandatin e ri.
Ai të dielën ka ndarë në Instagram pamje nga dita e dytë e takimit, teksa ministrat shihen duke hyrë në mbledhje.
“Dita e dytë e takimit tërëditor të kabinetit qeveritar. Projekte të mëdha e punë të mira na presin”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, më 6 mars presidentja Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarjen e kuvendit, pasi deputetët nuk arritën ta zgjedhin presidentin e ri. Por, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme ndaj këtij dekreti, gjithashtu ndaloi edhe çdo veprim të Kuvendit.