Arbëri

Qelaj: Kriza institucionale dhe dështimi i sigurimeve shëndetësore po rëndojnë jetën e qytetarëve

qelaj

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se megjithëse Kosova ka ndërtuar një demokraci që u reziston krizave, mungesa e institucioneve funksionale gjatë vitit 2025, veçanërisht e Kuvendit, ka prodhuar pasoja të rënda për mbikëqyrjen demokratike, nxjerrjen e ligjeve dhe jetën e qytetarëve. Ai ka thënë se mungesa e një parlamenti funksional që nga fillimi i vitit ka cenuar një nga shtyllat kryesore të demokracisë dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e shtetit.

Qelaj ka thënë se si pasojë e kësaj krize institucionale kanë mbetur të bllokuara ligje jetike, përfshirë Ligjin e Punës, Ligjin për Shëndetin Publik dhe Ligjin për Shëndetin Mendor, ndërsa qeveria në detyrë nuk ka pasur gjithmonë mundësi për vendimmarrje dhe planifikim afatgjatë. Sipas tij, kjo situatë ka krijuar pasiguri edhe rreth buxhetit për vitin 2026 dhe ka ndikuar negativisht në mirëqenien e qytetarëve.

“Kemi mungesë të nxjerrjes së ligjeve të reja dhe të ndryshimit-plotësimit të ligjeve aktuale, që është tepër e rëndësishme. Ta zëmë, na kanë mbetur në proces Ligji i Punës, që është tepër jetik, Ligji për Shëndetin Publik, Ligji për Shëndetin Mendor, si dhe ligje të tjera të shumta që do të ndikonin drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Kjo krizë është e brendshme dhe jo vetëm në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare, por edhe te roli apo puna që e ka bërë ekzekutivi, sepse duke qenë qeveri në detyrë, jo gjithmonë ka arritur të marrë vendime apo të ketë planifikim afatgjatë për t’i çuar përpara proceset e nisura më herët. Tash, në fund, po ballafaqohemi edhe me presionin nëse do të kemi buxhet të qëndrueshëm për vitin 2026 apo jo. Krejt këto, natyrisht, kanë ndikuar”, tha ai.

Duke folur për sektorin e shëndetësisë, Qelaj ka thënë se Kosova ka dështuar për më shumë se 10 vjet ta zbatojë Ligjin për Sigurime Shëndetësore, duke i detyruar qytetarët t’i përballojnë vetë shpenzimet për trajtim mjekësor. Ai ka thënë se mungesa e barnave nga lista esenciale dhe mosmbulimi i terapive të domosdoshme po i shtyn qytetarët drejt kredive, madje edhe shitjes së pasurive, duke e bërë jetën e tyre gjithnjë e më të vështirë.

Qelaj ka thënë se mungesa e vullnetit institucional për ndërtimin e sistemit të informimit shëndetësor e ka mbajtur të pazbatueshëm Ligjin për Sigurime Shëndetësore dhe ka rritur pakënaqësinë e qytetarëve ndaj institucioneve. Ai ka theksuar se kriza institucionale dhe dështimi i sigurimeve shëndetësore përbëjnë një barrë serioze për qeverinë e ardhshme dhe janë ndër faktorët kryesorë që po e rëndojnë jetën e qytetarëve.