Përveç drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Rregullativ për Aktivitetet Bamirëse të Katarit, Ibrahim bin Abdullah Al Dehaimi, në përbërje të delegacionit të Katarit ishin edhe kryetari ekzekutiv i Organizatës Bamirëse “Qatar Charity”, Yousef bin Ahmed Al Kuwari dhe drejtori i kësaj organizate për Kosovë, Mahmud Abaz-Shakir.
Drejtori i Përgjithshëm të Autoritetit Rregullativ për Aktivitetet Bamirëse të Katarit, Ibrahim bin Abdullah Al Dehaimi, tha gjatë qëndrimit në Mitrovicë se ndihet i lumtur që organizata bamirëse “Qatar Charity” vepron këtu dhe ka pasur mundësi që të ndihmojë ata që kanë nevojë në këtë komunë. .
Ai tha se ndodhet këtu për të mësuar më shumë për projektet që deri tash i ka realizua në Mitrovicë “Qatar Charity” dhe për të shpreh gatishmërinë që të vazhdojë edhe në të ardhmen bashkëpunimin me Mitrovicën përmes projekteve të tjera.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pasi falënderoj mysafirët nga Katari për vizitën, tha se është shumë i kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm të Organizatës Bamirëse “Qatar Charity”, e cila ka mbështetur Mitrovicën me projekte të shumta e të ndryshme, që kanë ndikuar në zhvillimin e Komunës në fusha të caktuara dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Në vazhdim ai i njoftoi mysafirët me sfidat me të cilat po ballafaqohen qytetarët dhe pushteti aktual, me theks të posaçëm për problemet sociale të qytetarëve, që në Mitrovicë janë të shprehura më shumë se në komunat e tjera të vendit, për shkak të situatës politike e të sigurisë dhe specifikave të veçanta të qytetit.
“Mitrovica edhe sot ballafaqohet me sfida të shumta pothuaj në të gjitha fushat. Këtë situatë e kanë rënduar edhe familjet e shumta që nga grupet kriminale serbe me dhunë janë dëbuar nga pronat e tyre në lagjet veriore të qytetit, kështu që buxheti i komunës as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e qytetarëve që aktualisht jetojnë këtu”, tha ndër të tjera ai.
Edhe
Komuna e Mitrovicës nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi me organizatën “Qatar Charity”
Bahtiri u tha mysafirëve se si projekte prioritare për të cilat aktualisht ka nevojë komuna, janë ndërtimi i një shkolle në Gushafc dhe i një çerdheje në qytet, si dhe sigurimi i strehimit për dhjetëra familje skamnore që nuk kanë kurrfarë mundësie që vetë të bëjnë zgjidhje.
Mysafirët nga Katari thanë se do t’i kenë parasysh këto projekte dhe se do të angazhohen maksimalisht për gjetjen e mënyrës për sigurimin e mjeteve financiare për realizimin e tyre.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behxhet Pacolli, i ka falënderuar mysafirët për mbështetjen që shteti i tyre ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën dhe për interesimin e tyre që këtë mbështetje ta vazhdojë edhe në të ardhmen.