Partia Demokratike e Kosovës ka konsideruar se vendi po përballet me krizë të shumëfishtë të sigurisë kombëtare, publike dhe njerëzore.
Deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj, në një konferencë për media ka thënë se moskonstituimi i institucioneve nuk është i rastësishëm, pasi do të diskutohej për licencimin e kompanive të familjarëve për shitblerje të energjisë, keqpërdorimet për tenderin e mbetjeve shtazore dhe “skandale tjera të këtij pushteti”.
“Tash arrestohet eksponenti i Lëvizjes Vetëvendosje i pikës ‘Qyteti i Vjetër’ të Degës së Prishtinës. Njeri që qëndron afër ministrit të brendshëm z. Sveçla dhe pastaj po ashtu qëndron afër ndaj figurave të ndryshme të partisë në pushtet. Dhe kjo nuk është rastësi. Pra, Shemsi Bahtiri është hetuar edhe në vitin 2019 për gjëra të njëjta. Vendi ynë po përballet me nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit, duke ndikuar negativisht në funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve. Këto probleme kanë çuar në degradim të vazhdueshëm në çdo sektor të shoqërisë”, ka thënë Qalaj.
Ndërsa, anëtarja e kryesisë së PDK-së, Besa Kabashi – Ramaj, ka thënë se operacioni “Qielli i thyer” dëshmon se krimi i organizuar ka prekur qeverinë.
“Në operacionin ‘Qielli i thyer’, u arrestua një person i njohur si organizatori kryesor i një rrjeti të trafikut të drogës, e njëkohësisht i njohur për lidhjet e tij të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, madje duke pasur qasje edhe në ish-Kryeministrin Kurti e Ministrin e Punëve të Brendshme. Kjo nuk është thjesht një çështje penale, është një alarm për të gjithë sistemin tonë politik dhe institucional. Është dëshmi e asaj që ndodh kur njerëzit e gabuar hyjnë në vendimmarrje, dhe kur strukturat e shtetit përdoren për interesa të errëta”, është shprehur ajo.