Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar me kërkesën për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit, ndërsa kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të procesit. Të dielën, deputetët kanë tentuar të hyjnë në sallën e Kuvendit, por dera ka qenë e mbyllur. Ligjvënësit e këtyre partive kanë thënë se me këtë veprim, shteti po mbahet në krizë
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka thënë se bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk është më vetëm krizë politike, por sipas tij edhe çështje e mbrojtjes së rendit kushtetues, institucioneve dhe vetë Republikës.
Tahiri, të dielën, bashkë me disa deputetë të tjerë të Partisë Demokratike tentuan të hynin brenda sallës së Kuvendit, por sërish dera ishte e mbyllur. Ai ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për shpërfillje të thirrjes për zhvillimin e seancës, duke thënë se ajo po i mban të bllokuara institucionet për kalkulime politike.
“Sot nuk po flasim vetëm për një krizë politike. Sot po flasim për Republikën, për Kushtetutën dhe për Kuvendin – për institucione që nuk i përkasin asnjë individi dhe asnjë partie politike”, deklaroi Tahiri.
Ai ka thënë se askush s’guxon t’i trajtojë institucionet e Republikës së Kosovës si prona personale apo si instrument për interesa partiake.
“Kushtetuta nuk është një dokument që respektohet vetëm atëherë kur i konvenon pushtetit. Kushtetuta është kufiri i pushtetit. Është garancia se institucionet nuk mund të shndërrohen në instrument të një individi dhe se askush nuk është mbi Republikën. As Albin Kurti”, tha ai.
Edhe
Shoqëria civile kritikoi PDK-në që nuk iu përmbajt qëndrimit të saj
Tahiri tha se Kosova nuk mund të mbahet peng derisa kryeministri në detyrë Albin Kurti “t’i zgjidhë problemet dhe kalkulimet e veta politike”.
“Vota të jep mandat. Vota nuk të jep pronësi mbi shtetin. Pushteti në demokraci nuk është privilegj personal. Është përgjegjësi, është i kufizuar dhe është i përkohshëm. Mbi të qëndron Kushtetuta”, deklaroi ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së theksoi se kjo betejë nuk bëhet për privilegje apo për pushtet, por për një standard kushtetues që duhet të vlejë njësoj për secilën parti, pavarësisht se kush është në qeverisje dhe kush në opozitë.
“Ne nuk kërkojmë privilegj. Nuk kërkojmë përjashtim. Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë. Kërkojmë funksionimin e Republikës. Kërkojmë që Kuvendi ta ushtrojë rolin e tij dhe që institucionet të mos mbahen peng i kalkulimeve të një partie”, theksoi Tahiri.
Tahiri shtoi se PDK-ja do të vazhdojë të kërkojë rikthimin e menjëhershëm të funksionimit kushtetues të Kuvendit dhe lirimin e institucioneve nga kalkulimet politike.
“Mbi deputetin është ligji. Mbi kryeministrin është Kushtetuta. Mbi partinë është institucioni. Mbi pushtetin është Republika. Askush mbi Kushtetutën, askush mbi ligjin, askush mbi institucionet dhe askush mbi Republikën – as sot, as nesër, asnjëherë”, tha Tahiri.
Edhe
Haxhiu e vlerëson të gabuar refuzimin e PDK-së dhe Aleancës për takim konsultativ
E PDK-ja ka reaguar edhe nëpërmjet një postimi në Facebook.
"Dyert e Kuvendit të mbyllura për deputetët e zgjedhur nga qytetarët – fotografia e një Republike që po mbahet peng nga Albin Kurti. 16 gusht 2026!" - ka shkruar PDK-ja.
E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo që po ndodh është zaptim i rendit demokratik me urdhër të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Detyra jonë, si të zgjedhur nga populli ynë, është që jo vetëm ta mbrojmë Kushtetutën, por edhe t’i tregojmë qytetarit të Kosovës se kjo që është duke ndodhur drejtpërdrejt me urdhrin e Albin Kurtit, si deputet, pa asnjë dyshim është zaptim i rendit demokratik dhe, në anën tjetër, është shkelje flagrante e të gjitha dokumenteve që e rregullojnë funksionimin e shtetit të Kosovës, duke filluar me shkeljen e Kushtetutës, me shkeljen e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe, së fundi, edhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se mbyllja e derës së Kuvendit e ka një porosi të thjeshtë.
“E ka një qëllim shumë të thjeshtë: me i mshu shkelm kësaj dere dhe pastaj me u bë lajm që opozita e theu derën dhe ndërmori veprime, ashtu qysh i kanë marrë ata. Ajo që i themi LVV-së dhe kryesuesit Avni Dehari, që të mos i dëgjojë udhëzimet të cilat janë duke e çuar shtetin e Kosovës në shumë të panjohura, është e pakujdesshme, e padrejtë dhe e rrezikshme me na vendos në shumë të panjohura. Të panjohura, të cilat një shtet bukur të brishtë, që e ka pru kjo qeveri me stadin më të ulët të marrëdhënieve me miqtë tanë, me një ekonomi të dobët, me qytetarë të lodhur, po na sjell në një situatë me blloku punën e Kuvendit, ku ne duhet t’i adresojmë çështjet tona që lidhen me funksionimin demokratik të Republikës së Kosovës”, tha Tahiri.
Edhe
Dehari nuk i bindet thirrjes së oponentëve të LVV-së për vazhdimin e seancës
Deri tash deputetët janë ftuar dy herë për ta konstituuar legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.
Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me aleatët e saj nga radhët e komuniteteve, ka mjaftueshëm vota për ta konstituuar Kuvendin e edhe për ta votuar Qeverinë. Por, për t’u zgjedhur presidenti kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para. Në rast se zgjedhja nuk mund të bëhet brena 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja të parakohshme.
Partitë nuk i janë afruar zhbllokimit të ngërçit politik qe gati dy vjet. Kosova është në cikël të vazhdueshëm krizash që prej zgjedhjeve të shkurtit 2025. Fillimisht pati telashe për konstituim e më pas dështimi për të formuar qeverinë çoi në zgjedhje të dhjetorit. Pas tyre pati konstituim, por nuk pati zgjidhje për presidentin e ri. Më 7 qershor pasuan zgjedhjet e reja.