Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qalaj: Kurti duhet të intervistohet për listën me emrat e serbëve të dyshuar

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, deklaroi se kryeministri Albin Kurti, është dashur të intervistohet nga Prokuroria pasi i ka dëmtuar hetimet, kur ka folur për serbët që dyshohet se kanë kryer sulme ndaj gazetarëve dhe ushtarëve të KFOR-it, në veri.

Ai deklaroi se Kurti ka gabuar rëndë kur i ka publikuar me emra dhe me të dhëna private serbët e dyshuar, derisa tha se kryeministri po tenton të tregojë se është i informuar.

“Deklarata e Kurtit është joserioze, edhe nëse është e vërtetë. Besoj që Kurti duhet të jetë i kujdesshëm, edhe nëse ka informatën e saktë, duhet t’i mbajë disa për vete dhe t’i publikojë vetëm në momentin e duhur. E kemi pasur një fjalim të Kurtit, që doli dhe i listoi me emër e mbiemër ata që kanë kryer sulme ndaj gazetarëve e KFOR-it, por ka bërë gabime sepse ka penguar policinë dhe prokurorinë që t’i kapin ata. Kurti u ka treguar ‘ikni nga këtu se mund të arrestoheni’. Kurti është dashur të ftohet nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit dhe të intervistohet pasi ka dëmtuar hetimet”, deklaroi deputeti i partisë opozitare.

Qalaj tha se sikur të mos i publikonte të dhënat Kurti, arrestimi i serbëve do të ishte më i lehtë.

“Aq shumë e ka dëmtuar procesin, sa shumica e atyre që i kanë kryer ato krime, do të ishin arrestuar më lehtë, e sot mund të jetë e pamundur pasi ata mund të kenë dalë në territorin e Serbisë. Rastet që Policia do të ushtrojë rendin e ligjin, obligimet që dalin për implementimin e urdhëresave, s’duhet t’i dijë askush dhe s’ka nevojë as të pyetet, e as të informohet Qeveria”, tha ai.

Sipas Qalajt, Serbia ka kryer agresion kur i rrëmbeu policët në territorin e Kosovës, por siç tha ai, ata do të lirohen së shpejti.

“Ata do të lirohen shpejt, por duhet policët të jenë vigjilentë dhe në raste të tilla të rezistojnë edhe me armë. Ata kanë ardhur me qëllim armiqësor, është normale gjatë kontrolleve rutinore të lëvizin andej e këndej, në të gjitha policitë kufitaren ndodh..., por me skenar të caktuar e të armatosur të njësisë speciale policore, do të doja të kishte rezistencë nga Policia dhe ata do të ishin tërhequr”, u shpreh ai.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, tha se ka informacione se Policia ishte e informuar për prezencën e personave të maskuar pranë vijës kufitare, por sipas tij, s’ka pasur reagime paraprake.

Artikuj të ngjashëm