Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur ta lërë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e listës opozitare serbe “Bashkë fitojmë” për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Sipas vendimit të PZAP-së, ankesa e parashtruar nga kjo listë është vlerësuar si e pabazuar, pasi subjektet pjesëmarrëse nuk kanë arritur t’i plotësojnë kriteret ligjore të kërkuara për certifikim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë arsyetimin e tij, institucioni ka theksuar se lista kishte dorëzuar gjithsej 1.087 nënshkrime mbështetëse, por një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk i plotësonin standardet e verifikimit. Për qindra nënshkrime mungonin të dhënat kontaktuese, ndërsa disa qytetarë të kontaktuar kishin mohuar se kishin nënshkruar formularët.
KQZ-ja kishte kërkuar nga lista “Bashkë fitojmë” që t’i plotësonte dokumentet dhe mangësitë e evidentuara, por sipas institucioneve zgjedhore, kjo nuk ishte bërë brenda afatit të paraparë.
Në përbërje të listës opozitare serbe ishin disa parti dhe iniciativa qytetare, përfshirë Demokracinë Serbe, Lëvizjen Popullore Serbe dhe iniciativën “Veriu për të Gjithë”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e listës kanë insistuar se kanë dorëzuar mbi 1.400 nënshkrime dhe se kërkesa për numrat e telefonit të nënshkruesve nuk ka qenë praktikë në proceset e kaluara zgjedhore. Ata e kanë cilësuar rastin si precedent.
Pavarësisht vendimit të PZAP-së, lista ende ka të drejtë që rastin ta dërgojë në Gjykatën Supreme.
Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit tashmë janë certifikuar disa subjekte politike serbe, përfshirë edhe Listën Serbe dhe partinë e Nenad Rashiqit, “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.