Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar se të shtunën do të ketë “protestë madhështore” në Prishtinë, “kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale”, pas dënimit të Salih Mustafës me 26 vjet burgim për krime lufte.
PSD-ja ka thirrur protestë me moton “Jo në emrin tim” për nesër në ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.
Nushi ka thënë se përveç solidarizimit me të akuzuarit që janë në Hagë, me këtë protestë do të kërkohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale nga deputetët e Kosovës.
“Vendimi i fundit i Gjykatës Speciale ishte tronditës për disa aspekte. Edhe për formën, mënyrën dhe nenet me të cilin u dënuan. Protesta ka qëllim solidarizues me të gjithë ata që po mbahen atje, dhe kërkuese ndaj Kuvendit që të iniciohet ndryshimi i Ligjit për Specialen, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend”, ka thënë Nushi në “Interaktiv” të KTV-së.
Tutje, përfaqësuesi i PSD-së ka theksuar se thirrja për të marrë pjesë në protestë është për të gjithë qytetarët që besojnë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është arsyeja pse kemi shtet sot.
“Thirrja jonë është ndaj atyre qytetarëve që besojnë që lufta e UÇK-së është arsyeja që e kemi shtetin sot. Është ky qytetar që beson në këtë luftë. Thirrja jonë ka qenë e përgjithshme. Kemi pasur takime kolektive për mbështetje sa më të madhe. Protesta nesër ka me qenë madhështore”, ka thënë Nushi.
Ai ka thënë se nëse ka vullnet, mund të bëhen ndryshimet ndaj “kësaj gjykate të padrejtë”. Ka kritikuar qasjen e Qeverisë për këtë çështje.
“E kemi parë Kurtin duke e sfiduar çdo gjykatë këtu. Por nuk kemi parë asnjë tendencë veprimi, së paku për ta mbikëqyrur, këtë gjykatë”, ka deklaruar Nushi.