Shumë pengesa kanë dalë në realizimin e projektit për zgjerimin e magjistrales Podujevë – Prishtinë, që ka filluar në vitin 2016. Edhe pse kanë kaluar katër vjet prejse kishin filluar 4.23 km e para, ato ende nuk janë përfunduar.
Njësoj ka ndodhur edhe me pjesën tjetër që kishte filluar më 2018. Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit (MIA), duke iu referuar dy raporteve të kompanive kontraktuese në ty tenderët e parë, kanë thënë se një pjesë e rrugës ku parashihet zgjerimi kalon nëpër pronë private, shkruan sot Koha Ditore.
Në përgjigjet me shkrim, zyrtarët e MIA-s kanë theksuar se pronarët privatë kanë penguar realizimin e këtij projekti.
“Punimet janë kryer dhe do të kryhen sipas projekteve të aprovuara nga MIA. Punimet do të vazhdojnë posa të fillojë sezoni i ndërtimit dhe të mënjanohen pengesat në ekzekutim”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.
Por, të njëjtit nuk kanë treguar sa mjete i kanë paraparë për sivjet për këtë projekt dhe as nëse do të punohet në pjesën e papërfunduar (që ka mbetur në gjysmë) apo do të lidhet kontratë e re tutje nga fshati Sibofc.
Në rreth 8 km sa është punuar nga viti 2016 e që ka filluar nga rruga kryesore e qytetit të Podujevës “Zahir Pajaziti” dhe ka vazhduar në drejtim të Prishtinës, askund nuk është ndërtuar shiriti ndihmës për hyrje-dalje, asnjë vend-ndalje për autobusë dhe asnjë rrethrrotullim (përjashto atë që kryqëzohet me rrugën “Zahir Pajaziti” afër Hotel “Besiana”), mbikalim ose nënkalim për automjete.
Edhe
MI-ja pretendon ta kryejë shpejt rrugën që s’u bë për 6 vjet
Në mungesë të tyre, ngasësit çdo ditë rrezikojnë duke e ndërruar kahun e drejtimit nga shiriti i shpejtë duke dalë në shirit të shpejtë. Po ashtu, për shkak të mungesës së shiritit ndihmës (zgjerimi për kyçje dhe shkyçje), banorë të disa lagjeve rrezikojnë çdo ditë duke u inkuadruar direkt në shiritin e shpejtë, ndërkohë që për shkak të tatëpjetës së madhe nga rruga e lagjeve, shikueshmëria mungon.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)