Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokuroria jep sqarim për ftesën për intervistim të ish-prokurores së EULEX-it

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me sqarim lidhur me ftesën për intervistim të ish-prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh.

Sipas prokurorisë, ftesa është bërë konform dispozitave ligjore në fuqi.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit të saktë, bën të ditur për opinionin publik se, lidhur me rastin e znj. Bamieh, e cila ka qenë e ftuar për intervistim pranë kësaj prokurorie, është duke vepruar konform dispozitave ligjore në fuqi, pasi bazuar në shkresat zyrtare që ka në posedim prokurorja e çështjes, më 03.06.2017, znj. Bamieh i është hequr imuniteti nga Kombet e Bashkuara dhe e njëjta sipas legjislacionit vendor, është udhëzuar nga prokuroria të angazhojë një avokat vendor, i cili është i licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, për zhvillimin e mëtejmë të procedurës”, thuhet në sqarimin e prokurorisë.

Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka ftuar ish-prokuroren e EULEX-it për intervistim, derisa ajo mbajti një konferencë për media në Prishtinë.

“Ju njoftoj që sot menjëherë pas konferencës për shtyp një zyrtar policor më dorëzoi një ftesë për intervistim nga prokurorja Fitore Sadiku nën dyshimin që kam kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete”, kishte shkruar Bamieh në Facebook.