LAJMET E MBRËMJES

Ish-prokurorja e EULEX-it vjen si fituese, ftohet si e dyshuar

Pak javë pas marrëveshjes me Qeverinë britanike, ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, që ndër vite sinjalizoi mbi dyshimet për korrupsion në këtë mision, ka ndarë detaje nga rrugëtimi i saj dhjetëvjeçar për drejtësi. Në një konferencë për media ajo ka shpalosur disa nga rastet nga të cilat kishte ngritur dyshime e për raportimin e së cilave është kritikuar e dënuar. Por, me të përfunduar konferencën, ish-prokurores së EULEX-it, i erdhi ftesa për intervistim nga Prokuroria Themelore. Ajo është e dyshuar për kryerjen e dy veprave penale. Në lidhje me deklaratat e saj në konferencë, ka reaguar misioni i EULEX-it

Në fund të këtij muaji, ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, do të intervistohet si e dyshuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Bamieh, të shtunën ka pranuar ftesën për intervistim më 25 korrik. Aty shkruhet se ajo do të intervistohet me dyshimin se ka kryer dy vepra penale: atë të “keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar” dhe “zbulimit të fshehtësisë zyrtare”. Ftesën, ish-prokurorja e mori me të përfunduar konferencën në të cilën ka folur për betejën e saj në kërkim të drejtësisë, pas largimit nga puna kur sinjalizoi dyshimet për korrupsion në misionin ku ajo punonte.

Ish-prokurorja, në një deklarim për KOHË-n, është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë në Kosovë, derisa ka thënë se ka qenë e vetëdijshme për rreziqet.

“Jam e gatshme të bashkëpunoj me Policinë dhe Prokurorinë. Nuk e kam problem këtë. Për sa i përket kërcënimit si sinjalizuese, kjo nuk është hera e parë për një sinjalizues dhe jam e sigurt se do të jetë e fundit. I kam ditur rreziqet para se të vija”, ka thënë Bamieh, pas pranimit të ftesës.

Sipas Prokurorisë Themelore, ftesa i është dorëzuar pasi intervistimi në vitet e kaluara nuk ka qenë i mundur. Arsye për këtë nuk janë dhënë.

“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të pamundësisë për sigurimin e deklaratës nga znj. Maria Bamieh viteve të kaluara, i ka bërë ftesë për intervistim të njëjtës, pas zhvillimit të konferencës së sotme”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Përcjellës të sistemit të drejtësisë kanë thënë se ftesa është veprim procedural. Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë se procedura hetimore e iniciuar në vitin 2015, është pezulluar në mënyrë që të parandalohet kalimi i afatit të hetimeve.

“Ftesa e sotme e prokurorisë është vetëm një veprim procedural i një procedure hetimore të iniciuar në vitin 2015, dhe e cila është pezulluar për të parandaluar kalimin e afatit të hetimeve sikurse e përcakton Kodi i Procedurës Penale, duke marrë për bazë se prokurorja Bamieh jeton jashtë Republikës së Kosovës”, ka thënë Miftaraj, i cili ka kritika për komunikimin e prokurorisë lidhur me rastin. Me rastin e dorëzimit të ftesës, sipas tij, Prokuroria do të duhej të informonte publikun “në mënyrën e duhur për t’i evituar paragjykimet lidhur me këtë rast”.

Duke pasur parasysh se ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, është sinjalizuese, drejtori i IKD-së ka thënë se duhet pasur kujdes.

“Prokuroria duhet të ketë kujdes të shtuar në raport me të njëjtën për të ruajtur të drejtat e saj në raport me statusin e saj si sinjalizuese në ekspozimin e aferave korruptuese në EULEX në atë kohë kur kishte kompetenca ekskluzive në fushat e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë në Kosovë”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për kohën kur janë ngritur dyshimet për shkeljet e bëra në misionin e EULEX-it, Miftaraj ka thënë se e konsideron të errët si periudhë. “Rasti në fjalë ndaj prokurores Bamieh është iniciuar diku në vitin 2015, në kohën kur shef i Misionit të EULEX-it ishte Gabriele Meucci, një ndër figurat më kontroverse të këtij misioni që nga formimi e deri më sot. Flasim për një kohë kur në publik kishin dalë informacione për afera korruptuese brenda këtij misioni, ku dyshimet ishin se të përfshirë kanë qenë figura të larta të prokurorëve, të gjykatësve dhe zyrtarë të lartë të tjerë brenda misionit të EULEX-it”, ka thënë ai.

“Viti 2014 dhe 2015 janë vite të errëta për misionin e EULEX-it, ku ky mision kishte dalë nga roli i tij, dhe ishte përfshirë në mënyrë joparimore edhe në procese të rëndësishme të asaj kohe që zhvilloheshin në sistemin prokurorial të Kosovës, ku rolin kryesor padyshim se e kishte pasur Meucci”, ka thënë ai.

Para pranimit të ftesës për intervistim, në një konferencë për media, ish-prokurorja Maria Bamieh shpalosi edhe njëherë rrugëtimin e saj në misionin e Bashkimit Evropian, nga ngritja e dyshimeve të para se kishte korrupsion, te raportimi i tyre, e deri te largimi i saj. Një ndër rastet që përmendi ishte ai për ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj. Ajo ka thënë se nga përgjimet që kishte bërë kuptohej komunikimi që gjyqtari Francesco Florit, kryeprokurorja Jaroslava Novotna e kishte pasur me ndërmjetësuesit e Tolajt.

“Nga përgjimet u bë e qartë se gjyqtari Francesco Florit po takohej me ndërmjetësuesit e Ilir Tolajt. Kishte ndodhur një takim mes gjyqtarit Florit dhe shefes sime, kryeprokurores Jaroslava Novotna. Në ato përgjime flitej se si ata po merrnin informacionin lidhur me rastin tim dhe se po mundoheshin ta zhduknin këtë rast. Ata (ndërmjetësuesit e Tolajt) dëshironin nga gjyqtari garanci dhe pyesnin se nëse mund të garantonte se Tolaj do të lirohej dhe rasti do të pushohej, çfarë mund të bënin për të. Kishte bisedime se çfarë dëshironte gjyqtari. Nëse mund ta përballonin atë (kërkesën e gjyqtarit). Ata po mundoheshin që të paguanin që t`i iknin drejtësisë”, ka kujtuar ajo.

Ish-prokurorja e EULEX-it vendosi që këto përgjime t’ia çonte koordinatorit, i cili sipas saj do t’i thoshte se nuk dëshironte t’i shihte me sy dhe sipas Bamiehit, i rekomandoi edhe asaj ta bënte të njëjtën gjë.

“Unë nuk thosha që gjyqtari Francesco apo Jovoslavna ishin fajtorë. Vetëm se çështja kishte dyshim të bazuar mirë se diçka nuk shkonte mirë. Shefja ime pastaj më ndihmoi për ta raportuar këtë në organet më të larta të drejtësisë, por edhe te shefat e misioneve. Unë e vazhdova këtë çështje duke menduar se po bëheshin hetime, por në fakt nuk po bëhej asnjë hetim. Raporti im ishte varrosur. Shefja që më ndihmoi u largua nga puna dhe unë u desh të përballem vetë me kundërshtarët”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se përgjimet që janë bërë për këtë rast do të duhej të hetoheshin derisa nuk u shpreh e kënaqur me zhvillimet në sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

“Mendoj që është e rëndësishme dhe ata mund ta bëjnë. Mendoj që është e rëndësishme, sepse ato përgjime asnjëherë nuk janë hetuar. Ata kanë hetuar vetëm ato dëshmitë e dhëna që kanë dhënë ryshfet për gjyqtarin, por jo për të tjerat dhe krejt për arsye politike”, ka thënë ajo.

Ndaj konferencës së ish-prokurores Maria Bamieh, të shtunën ka reaguar misioni i EULEX-it. Në një komunikatë për media shkruhet se Bamieh ka përsëritur “akuza, thashetheme dhe përgojime të pabazuara”.

“Bamieh nuk e prezantoi as edhe një provë të re. Provat e mbledhura gjatë hetimeve të bëra nga Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës gjatë vitit 2016 nuk kanë vërtetuar ndonjë shkelje nga ish-gjyqtari i EULEX-it në qendër të këtyre akuzave”, shkruhet në reagim.

Po aty shkruhet se rasti i Bamieh kundër EULEX-it në Britani të Madhe ishte hedhur poshtë në vitin 2018.

“Ajo kishte filluar një procedurë civile në Britaninë e Madhe në lidhje me çështjet e punësimit kundër punëdhënësit të saj (FCDO), Misionit dhe kolegëve të saj, disa prej të cilëve ajo i përmendi sot. Në vitin 2015, një raport nga një ekspert ligjor i pavarur e shqyrtoi zbatimin e mandatit të EULEX-it me theks të posaçëm në trajtimin e këtyre akuzave. Si Mision për sundimin e ligjit, ne besojmë në drejtësinë e ndarë nga institucionet e drejtësisë”, shkruhet në reagim.

Në fillim të korrikut, ish-prokuroria Maria Bamieh arriti marrëveshje gjyqësore me Qeverinë britanike, sipas së cilës Qeveria britanike i detyrohet asaj mbi 400 mijë funte.