Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Florit i quan shpifje akuzat e ish-prokurores Bamieh

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Francesco Florit, i ka quajtur të rreme akuzat e ish-prokurores Maria Bamieh që javën e shkuar në Prishtinë, në një konferencë për media shpalosi rrugëtimin e saj në misionin e Bashkimit Evropian, nga ngritja e dyshimeve të para se kishte korrupsion, te raportimi i tyre, deri te largimi i saj.

“Zonja Bamieh ka arritur një marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë dhe ka ardhur triumfuese në Kosovë për të organizuar një konferencë për shtyp, ku përsëriti akuzat e saj të rreme kundër shumë njerëzve (përfshirë mua) pavarësisht se ato akuza janë hedhur poshtë dhe demaskuar në të gjitha instancat administrative e gjyqësore, në Kosovë dhe jashtë saj. Tashmë, ajo është dashur ta dinte se ato ishim vetëm një grumbull gënjeshtrash. Duke përsëritur fakte të shtrembëruara, emra të gabuar dhe kujtime të turbullta, ajo shpreson që ato gënjeshtra do të besohen. Jam lodhur e ngopur nga kjo shpifje që më ka kushtuar tashmë, profesionalisht e personalisht. Por nuk shqetësohem: Jam i bindur që populli i Kosovës, edhe një herë, do të jetë në gjendje të dallojë të vërtetën nga shpifja e saj e kotë”, ka thënë Florit në një përgjigje për KOHËN.

Ndër rastet që Bamieh i përmend në Prishtinë, ishte ai për ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, e ku implikoi edhe ish-gjyqtarin Florit. Ajo ka thënë se nga përgjimet që kishte bërë kuptohej komunikimi që gjyqtari Francesco Florit, kryeprokurorja Jaroslava Novotna e kishte pasur me ndërmjetësuesit e Tolajt.

“Ata (ndërmjetësuesit e Tolajt) dëshironin nga gjyqtari garanci dhe pyesnin se nëse mund të garantonte se Tolaj do të lirohej dhe rasti do të pushohej, çfarë mund të bënin për të. Kishte bisedime se çfarë dëshironte gjyqtari. Nëse mund ta përballonin atë (kërkesën e gjyqtarit). Ata po mundoheshin që të paguanin që t`i iknin drejtësisë”, u shpreh në konferencë Bamieh. Ish-prokurorja e EULEX-it vendosi që këto përgjime t’ia çonte koordinatorit, i cili sipas saj do t’i thoshte se nuk dëshironte t’i shihte me sy dhe sipas Bamiehit, i rekomandoi edhe asaj ta bënte të njëjtën gjë. “Unë nuk thosha që gjyqtari Francesco apo Jovoslavna ishin fajtorë. Vetëm se çështja kishte dyshim të bazuar mirë se diçka nuk shkonte mirë. Shefja ime pastaj më ndihmoi për ta raportuar këtë në organet më të larta të drejtësisë, por edhe te shefat e misioneve. Unë e vazhdova këtë çështje duke menduar se po bëheshin hetime, por në fakt nuk po bëhej asnjë hetim. Raporti im ishte varrosur. Shefja që më ndihmoi u largua nga puna dhe unë u desh të përballem vetë me kundërshtarët”, pati deklaruar ajo.

Ndaj konferencës së ish-prokurores Maria Bamieh, të shtunën pati reaguar edhe misioni i EULEX-it. Në një komunikatë për media shkruhet se Bamieh ka përsëritur “akuza, thashetheme dhe përgojime të pabazuara”.

“Bamieh nuk e prezantoi as edhe një provë të re. Provat e mbledhura gjatë hetimeve të bëra nga Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës gjatë vitit 2016 nuk kanë vërtetuar ndonjë shkelje nga ish-gjyqtari i EULEX-it në qendër të këtyre akuzave”, shkruhej në reagim të EULEX-it.

Edhe EULEX-i reagon ndaj ish-prokurores Bamieh: Po përsërit përgojime të pabazuara Arbëri EULEX-i reagon ndaj ish-prokurores Bamieh: Po përsërit përgojime të pabazuara

Në fillim të korrikut, ish-prokuroria Maria Bamieh arriti marrëveshje gjyqësore me Qeverinë britanike, sipas së cilës Qeveria britanike i detyrohet asaj mbi 400 mijë funte.

Me të përfunduar konferencën, Bamiehs i erdhi një ftesë për intervistim nga Prokuroria Themelore si e dyshuar për kryerjen e dy veprave penale.