Ish-prokurorja e misionit EULEX në Kosovë, Maria Bamieh, në një konferencë për shtyp të shtunën në Prishtinë, ka folur për rastet për dyshime për korrupsion që ka sinjalizuar në misionin më të madh të jashtëm të Bashkimit Evropian, EULEX, për çka edhe i është shkëputur kontrata.
Bamieh tregoi se si kishte zbuluar dyshimet për korrupsionin në rastin e Ilir Tolajt, ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ajo tregoi se si nga përgjimet kishte mësuar se gjyqtari i EULEX-it, Francesco Florit takohej me ndërmjetësuesit e Tolajt, kur ky gjendej në burg, për ta zhdukur rastin në këmbim të një pagese.
Ish-prokurorja e nisi punën në Kosovë, siç tregon ajo, me një shpërthim përballë një lokali te statuja e "Bill Clintonit", për të cilin thotë se kishte dy dëshmitarë që treguan se gjyqtari Francesco ishte paguar për t'i liruar të dyshuarit.
“Unë erdha në Kosovë që të jap kontributin tim. Unë kam pasur rekord të 90 për qind të rasteve që i kam fituar. Jam marrë me raste të profilit të lartë. Mediat shkruanin se gjyqtari italian Francesco kishte marrë ryshfet, por meqë s’kishte dëshmi konkrete e injorova si histori. Më pas vazhdova të kryej detyrat e mia e që ishte Ministria e Shëndetësisë, ku një koleg gjerman u largua nga detyra dhe nisa të merrem me rastin Tolaj. Unë zbulova nga informatorët se Tolaj posedonte një telefon në burg, dhe nga përgjimet u bë e qartë se gjyqtari Francesco po takohej me ndërmjetësuesit e Tolajt në një vend në Prishtinë. Ata po mundonin ta zhduknin këtë rast. Ndërmjetësuesit donin garanci nga gjyqtari Francesco. Shihej qartë se po mundoheshin të paguanin. Ata kishin një aleancë të fuqishme politike në Qeveri dhe në ato përgjime, i referoheshin një politikane me nofkën ‘Kaltrina’ “, ka thënë Bamieh para gazetarëve.
Ish-prokurorja e EULEX-it vendosi që këto përgjime t’ia çonte koordinatorit, i cili i tha se nuk dëshironte t’i shihte me sy dhe sipas Bamiehit, i rekomandoi edhe asaj ta bënte të njëjtën gjë.
“Unë nuk thoja që gjyqtari Francesco apo Jovoslavna ishin fajtorë. Vetëm se çështja kishte dyshim të bazuar mirë se diçka nuk shkonte mirë. Shefja ime pastaj më ndihmoi për ta raportuar këtë në organet më të lartë të drejtësisë, por edhe te shefat e misioneve. Unë e vazhdova çështje duke menduar se po bëheshin hetime, por në fakt nuk po bëhej asnjë hetim. Raporti im ishte varrosur. Shefja që më ndihmoi u largua nga puna dhe unë u desh të përballem vetë me kundërshtarët”, shtoi ajo. “Pastaj më suspenduan. Më vonë kuptova se më kishin suspenduar pasi pretendonin se kam rrjedh një dokument te KohaDitore. Por unë nuk e kam takuar asnjëherë gazetarin që kishte botuar artikullin e aq më tepër të rrjedha informacion. U vendos që unë kisha dhënë informacionin brenda gjysmë ore, as nuk më kishin pyetur”.
Pas suspendimit, Bamieh e kuptoi që ligji ia mundëson ta denoncojë publikisht rastin. “Ishte e vështirë, por u desh ta bëja për ta mbrojtur reputacionin tim”, shtoi ajo, duke u shpreh se edhe një koleg gjerman i tregoi asaj se si po manipuloheshin rastet.
“Malcolm Simons si gjyqtar kishte dëshmi më të mira sesa unë si prokurore”, ka thënë Bamier, e cila thotë se s’ka marrë përgjigje për të raportuar në komisionet parlamentare.
Edhe Fatmire Buzolli, e cila ka punuar bashkë me Bamiehin në EULEX, ka thënë se ajo ka kaluar një periudhë mjaft të vështirë gjatë këtyre vjetëve.
“Ishte e padrejtë mënyra se si jam trajtuar unë pas suspendimit të Marias. I kam ngritur çështjet, por nuk kam arritur drejtësi”, ka thënë Buzolli.
Bahmieh më 3 korrik të këtij viti arriti një marrëveshje gjyqësore me qeverinë britanike për t'u dëmshpërblyer me 423 mijë funte, ende pa nisur shqyrtimi i rastit të saj.