Arbëri

Prokurori: Krimet e luftës do t’i ndjekim për aq sa të kemi jetë

Në ballafaqimin e fundit mes prokurorisë dhe mbrojtjes në gjykimin për krime lufte ndaj Dushko Arsiq, palët mbrojtën versionet e paraqitura deri tash. Prokurori tha se procesi ka arritur t’i vërtetojë pretendimet se Arsiq është përgjegjës për krime lufte, e avokati i të akuzuarit e theksoi të kundërtën. Në seancë, prokurori Atdhe Dema u zotua t’i ndjekë përgjegjësit e të tilla krimeve, për aq sa të ketë jetë

Mundësinë e fundit për të bindur gjykatën e shfrytëzuan të enjten prokuroria dhe mbrojtja, në rastin gjyqësor për krime lufte ndaj të akuzuarit Dushko Arsiq.

Fjalën përfundimtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë të dyja palët e kanë përgatitur me shkrim, por një pjesë të saj e prezantuan edhe në seancë.

Përfaqësues të organit të akuzës kërkuan dënimin e mbrojtja e të akuzuarit lirimin.

Prokurori Special, Atdhe Dema, u shpreh i bindur se gjatë shqyrtimit gjyqësor, janë vërtetuar pretendimet e ngritura në aktakuzë.

“Nga provat e nxjerra e të dëgjuara edhe në shqyrtim u dëshmua në mënyrë të plotë që i akuzuari ka kryer vepër penale të paraqitur si në aktakuzë, duke u vërtetuar në tërësi edhe koha, vendi dhe mënyra e kryerjes së veprës penale. U vërtetua në tërësi se i akuzuari, veprën penale e ka kryer me dashje”, ka thënë prokurori Dema.

Arsiq akuzohet që në bashkëkryerje me persona të tjerë gjatë luftës mori pjesë në djegien dhe plaçkitjen e shtëpive të qytetarëve të Prishtinës dhe për keqtrajtim, plagosje e vrasje të civilëve. Aktakuza, ndër të tjera, mbështetet edhe te dëshmia e Artan Krasniqit, i cili ka thënë se ishte keqtrajtuar nga Arsiqi në shkurt të vitit 1999.

E avokati Nebojsha Vllajiq tha se nuk beson që Krasniqi është palë e dëmtuar dhe se çështjen gjyqësore po mundohet ta përdorë si shantazh që t’i blejë tokat e Arsiqit. Vllajiq tha se veprat me të cilat ngarkohet klienti i tij nuk janë krime lufte.

“Përnjëherë dëshiron që ta shesë tokën, disa parcela i shet e disa të tjera nuk dëshiron t’i shesë dhe atëherë kundër tij ngrihet kallëzimi penal. Kush janë blerësit?, Të gjithë ata janë nga familja Krasniqi, kushërinjtë e Artan Krasniqit, janë nga i njëjti vend apo nga fshati i njëjtë”, është shprehur Vllajiq.

Fjala përfundimtare e prokurorit Dema zgjati rreth 20 minuta, ndërsa e avokatit Vllajiq rreth një orë e gjysmë.

Për kohën që e shfrytëzoi mbrojtja u ankua Dema, i cili tha se po bëhet spektakël mediatik, pasi që seancën e përcollën shumë media vendore dhe nga Serbia. Ai theksoi se në bazë të marrëveshjes paraprake, fjala përfundimtare duhej të dorëzohej me shkrim e të zgjaste rreth 15 minuta.

I akuzuari Arsiq tha se i dëmtuari Krasniqi po e përdor gjykatën për ta shantazhuar.

“Nuk e kam ditur që do të akuzohem për krime lufte. Si duket kjo është metoda më e lehtë në Kosovë, nëse dikë nuk mund ta bindni, atëherë e akuzoni për krime lufte”, u shpreh i akuzuari.

Prokurori Dema dha paralajmërim që edhe në të ardhmen do të kërkohet drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.

“Të kuptojnë që në këtë shtet dhe këtë vend nuk do të falen krimet nga kushdo qofshin kryer dhe gjithnjë do të ndiqen deri në fund, qoftë edhe pas 24 vjetëve, ose 44 vjetëve apo sa të kemi jetë”, ka thënë Dema.

Gjykata ka njoftuar që vendimin për këtë rast do ta nxjerrë më datën 2 shkurt.