Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prizreni për 9 muaj paguan 550 mijë euro për vendime gjyqësore

Komuna e Prizrenit në periudhën janar-shtator të këtij viti ka shpenzuar afër 549 mijë euro për pagesat e vendimeve gjyqësore, derisa mbi 256 mijë euro të tjera janë ekzekutuar direkt nga Thesari, për shkak të vonesave në pagimin e faturave të ndryshme. Këto të dhëna janë prezantuar nga Ministria e Financave në Raportin nëntëmujor financiar të Buxhetit të Kosovës.

Zyrtarët komunalë kanë konfirmuar vlerat e këtyre pagesave, duke theksuar se vendimet gjyqësore kryesisht kanë të bëjnë me kompensimin e pagave jubilare dhe shujtave për mësimdhënësit, ndërkohë që te pagesat direkte nga Thesari bëhet fjalë për raste të ndryshme, shkruan sot Koha Ditore.

Zenel Ahmeti, nga Drejtoria e Financave të Komunës së Prizrenit, ka theksuar se organet komunale pothuajse përditë ballafaqohen me padi që kanë të bëjnë me pagat jubilare dhe shujtat për mësimdhënësit. Sipas tij, shuma prej 549 mijë eurove të paguara gjatë nëntë muajve të këtij viti për vendime gjyqësore lidhet kryesisht me këto raste. “Pjesa dërrmuese e pagesave ka të bëjë me pagat jubilare dhe shujtat për mësimdhënësit. Përditë kemi raste të kësaj natyre, dhe këto pagesa po na lënë keq pastaj në aspektin buxhetor”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj, ka bërë të ditur se në periudhën janar-tetor të këtij viti në procedurë gjyqësore janë 180 lëndë që kanë të bëjnë me pagat jubilare dhe 285 sosh për shujtat ditore të mësimdhënësve.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)