Mbi 2.5 milionë euro janë ekzekutuar gjatë vitit të shkuar nga buxheti i Komunës së Prizrenit për pagesat sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore.
Zyrtarët komunalë kanë pohuar se pjesa më e madhe e këtyre ekzekutimeve kanë të bëjnë me pagesat e shujtave dhe pagave jubilare për punonjësit e arsimit, derisa pjesa tjetër është ekzekutuar për operatorët ekonomikë që janë kontraktuar nga Komuna për projekte të ndryshme. Ndërsa opozitarët kanë theksuar se shtimi i vlerës së pagesave sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore vë në pah keqqeverisjen në këtë mandat, duke qenë se vet drejtuesit e Ekzekutivit komunal dy vite më parë janë ankuar për këtë praktikë.
Sipas të dhënave të shpalosura në raportin financiar për vitin 2020 të Komunës së Prizrenit del se janë bërë mbi 2.5 milionë euro pagesa sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore. Kjo e dhënë figuron edhe në raportin vjetor financiar të Ministrisë së Financave.
Drejtoresha e Financave në Komunën e Prizrenit, Leonora Çerreti ka konfirmuar këto të dhëna, duke arsyetuar se pjesa më e madhe e këtyre ekzekutimeve kanë të bëjnë me pagesat e shujtave dhe pagave jubilare për mësimdhënësit.
“Një numër i vogël janë prej bizneseve ose kontraktorëve që i kemi. Pjesa më e madhe janë prej vendimeve gjyqësore për shkak të shujtave, pagave jubilare në DKA”, ka thënë ajo, javë më parë, gjatë një konference për media.
Por sipas vlerave që figurojnë në raportin financiar të vitit 2020 del se vlera më e madhe e këtyre ekzekutimeve janë bërë për operatorët ekonomikë të kontraktuar nga Komuna.
“Pjesa nga kontraktorët janë si pasojë e moskalimit të rishikimit të buxhetit vitin e kaluar, ku ka tejkalime nga kontratat në krahasim me planifikimet që i kemi pas. Nuk kemi pas mundësi që të bëjmë rishikimin dhe që të mbulojmë pagesën që e kemi pas në bazë të kontratës. Prandaj është dashtë që pagesat të merren në mënyrë të dhunshme, për shkak se punët janë kryer sipas kontratës”, ka deklaruar drejtoresha Çerreti.
Në anën tjetër këshilltari opozitar, Ilir Baldedaj ka theksuar se Komuna e Prizrenit për vitin 2020 është kampione në mesin e komunave të Kosovës sa i përket vlerës së pagesave sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore. “Shuma e pagesave sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore është e frikshme. Ju kujtoj se si në vitin 2018, Mytaher Haskuka ankohej se nga arka e Komunës janë tërhequr mbi 500 mijë euro nga përmbaruesit e ndryshëm, dhe këtë e merrte si tregues të qeverisjes. Tani, sipas kutit të vlerësimit të tij, po i bie se nga qeveria Haskuka kemi pesëfish më shumë keqqeverisje në Komunën e Prizrenit”, është shprehur Baldedaj.
Në raportin financiar vjetor të MF-së, në aneksin 20 prezantohet raporti për pagesat sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore, ku pos tjerash bëhet e ditur se në vitin 2020 vlera e pagesave sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore në Komunën e Prizrenit ka qenë 2 milionë e 572 mijë euro, që është dukshëm më e madhe se në vitin 2019 me 653 mijë euro dhe e vitit 2018 me 980 mijë euro.