Arbëri

Prizreni ka mbyllur vitin 2020 me borxhe në vlerë 2.5 milionë euro

Komuna e Prizrenit vitin financiar 2020 e ka mbyllur me obligime të papaguara në vlerën mbi 2.5 milionë euro. Sipas raportit vjetor financiar, kjo komunë në fund të vitit të shkuar, ka pasur obligime në të gjitha kategoritë ekonomike të buxhetit, me ç’rast pjesa më e madhe e tyre ka figuruar te investimet kapitale me shumën prej afër 1.5 milionë euro.

Këshilltarët opozitarë pohojnë se nuk janë të befasuar me të dhënat e tilla, pasi që sipas tyre qeveria komunale në mandatin aktual disa herë ka vërtetuar paaftësinë për realizimin e projekteve si dhe për menaxhimin e mirë të parasë publike.

Në anën tjetër zyrtarët e lartë të Ekzekutivit komunal theksojnë se vjet ka pasur probleme me pagesat, ndërkohë që një pjesë e obligimeve nuk janë paguar për shkak të ardhjes me vonesë të faturave të caktuara nga operatorët ekonomikë.

Në raportin financiar për vitin 2020 të Komunës së Prizrenit obligimet e papaguara janë pasqyruar në formë tabele, ku shkruan se totali i borxheve të Komunës së Prizrenit për vitin e shkuar ka qenë 2 milionë e 528 mijë euro. Më së shumti obligime ka pasur në kategorinë e investimeve kapitale, 1 milionë e 495 mijë euro. Pastaj radhitet kategoria e mallrave dhe shërbimeve me 684 mijë euro, që pasohet nga subvencionet me 301 mijë euro, pagat e mëditjet me 47 mijë euro dhe shpenzimet komunale me 721 euro. Shuma e obligimeve të papaguara për vitin e shkuar ka qenë me lartë se ajo e vitit 2019 që ishte 1 milion e 307 mijë euro, por është më e vogël se ajo e vitit 2018 - 2 milionë e 229 mijë euro.

Këshilltari i AAK-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, Ilir Baldedaj, ka shprehur qëndrimin se sikurse raportet vjetore financiare ashtu edhe raportet e auditimit të ZKA-së konfirmojnë se qeveria komunale e Prizrenit ka mungesë zotësie për jetësim të projekteve dhe menaxhim të duhur të buxhetit.

herë e kam thënë se nuk duhet pritur shumë nga kjo qeverisje pasi nuk ka aftësi për menaxhim, dhe këtë e dëshmon vlera e lartë e suficitit buxhetor që përsëritet me vite, borxhet e papaguara, projektet e parealizuara, etj. Dhe për të gjitha këto, gjithnjë dikush tjetër i ka faj kësaj qeverie lokale, e cila ka dështuar në të gjitha sferat”, ka thënë Baldedaj.

Ndërsa Drejtoresha për Financa në Komunën e Prizrenit, Leonora Çerreti, ka deklaruar se vjet janë ballafaquar me probleme në pagesa, që sipas saj nuk janë ekzekutuar nga niveli qendror dhe se aspekti tjetër është pranimi me vonesë i faturave.

“Vitin e kaluar kemi pas një problem. Megjithëse pagesat janë certifikuar kemi pasur një mosekzekutim të pagesave nga niveli qendror për shkak se siç ka njoftuar MF-ja është arritur limiti bankar dhe për shkak të stabilitetit financiar nuk kanë arritur t’i ekzekutojnë disa pagesa. Një pjesë e madhe e tyre kanë qenë nga komuna jonë. Jemi komuna e dytë më e madhe, prandaj edhe vlera më e madhe e pagesave ka qenë në komunën tonë. Një pjesë e tyre janë edhe fatura që vijnë me vonesë nga kontraktuesit që i kemi”, ka thënë Çerreti.

E pyetur nëse kjo ka ndodhur për shkak se pagesat lihen deri në fund dhjetorit, ajo ka pohuar një gjë të tillë, duke shtuar se një gjë e tillë praktikohet nga operatorët.

“Është një dukuri e tillë. Nga informatat që i kam marrë nga stafi në drejtori është një praktikë e keqe e bizneseve apo kontraktorëve”, ka theksuar Çerreti.

Ajo ka shtuar se ka angazhime për eliminimin e këtyre problemeve gjatë këtij viti. Por ka pranuar se ka mungesë stafi.

“Nëse krahasohemi me komunat tjera te stafi kemi mungesë, pikërisht në Departamentin e Thesarit, ku jemi komuna e dytë në Kosovë, por numri i stafit është i barabartë me stafin e komunave në rajon, si Rahoveci apo Dragashi. Këtë vit jemi duke planifikuar dy masa, të rrisim numrin e stafit te pagesat, certifikuesit, shpenzuesit dhe zotuesit, si dhe jemi duke punuar me biznese që faturat të paraqiten sa më herët”, është shprehur ajo.

Qeveria komunale e Prizrenit, përkatësisht kryetari Mytaher Haskuka, muaj më parë, gjatë takimit me qytetarë pati shprehur qëndrimin se pandemia COVID-19 në vitin e shkuar ka sfiduar realizimin e projekteve, por se megjithatë realizimi i buxhetit ka shkuar në mbi 85 për qind.