Arbëri

Prizreni miraton buxhetin komunal për vitin 2022

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit të premten kanë miratuar buxhetin komunal për vitin 2022, në vlerë prej rreth 50 milionë eurosh. Ekzekutivi komunal i dalë prej zgjedhjeve të fundit lokale e ka cilësuar atë si buxhet të zhvillimit, ndërkohë që opozitarët kanë theksuar se ai është pothuajse identik me buxhetin e propozuar nga ish-qeveria lokale, që ishte kundërshtuar nga PDK-ja dhe kanë shprehur kundërshtitë sidomos për zvogëlimin e buxhetit në Drejtorinë e Bujqësisë.

Madje ka pasur edhe dilema nëse Kuvendi i Prizrenit mund të votojë buxhetin komunal, pas dekretimit të Ligjit për ndarjet buxhetore.

“Na keni ftuar me një seancë që për mendimin tim po konsideroj se është e panevojshme, përderisa kemi një ligj të buxhetit në fuqi, qysh kemi na mundësi si Asamble Komunale me diskutua Ligjin për buxhet ose këto ndarje buxhetore”, ka thënë asamblisti i VV-së, Osman Hajdari.

zyrtarët komunalë dhe kuvendarët e PDK-së kanë sqaruar se një gjë e tillë parashihet në legjislacion dhe se një praktikë e tillë është zbatuar më herët edhe nga komunat e tjera. Ndërkohë, kuvendarët e LDK-së kanë pohuar se propozim-buxhetin e ngjashëm nuk e kanë votuar as në muajin tetor.

“Si grup i Kuvendarëve të LDK-së i kemi vërejtjet tona të shumta. Ne edhe para 2-3 muajve nuk e kemi përkrahur këtë buxhet dhe faktikisht nuk do ta mbështesim as tani. Në qoftë se merren parasysh vërejtjet tona nuk ka problem, mirëpo në këto rrethana nuk do ta votojmë buxhetin”, është shprehur Qemal Krasniqi i LDK-së.

Për dallim prej tyre, kryetari Shaqir Totaj ka kërkuar votimin e buxhetit duke e cilësuar atë si zhvillimor.

"Ky buxhet i propozuar, të cilin e keni para vetes është një adresë e nevojave dhe kërkesave konkrete të qytetarëve të Komunës sonë, një buxhet i zhvillimit dhe investimeve të shumta kapitale, të cilat do të na ndihmojnë të gjithë neve për të përmirësuar edhe më shumë jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë Totaj.

Pas diskutimit 2-orësh, nga 39 anëtarët e pranishëm, 26 kanë votuar për, 6 kundër dhe 6 kanë abstenuar. Ky vendim i Kuvendit të Prizrenit procedohet tutje tek niveli qendror, që tashmë ka miratuar buxhetin për vitin 2022.