Arbëri

Komuna e Prizrenit nis procedurë të re për miratimin e buxhetit të 2022-s

Organet komunale të Prizrenit i janë bindur Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për t’i shqyrtuar edhe një herë projeksionet buxhetore për vitin 2022. Propozim-buxheti në vlerë rreth 50 milionë euro është shqyrtuar nga Komiteti për Politikë e Financa, që është themeluar rishtazi dhe i është përcjellë Kuvendit Komunal për miratim

Komiteti për Politikë e Financa, të premten, ka shqyrtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit për vitin 2022, konform kërkesës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe të njëjtin e ka proceduar për vendimmarrje në Kuvendin e Komunës.

Niveli qendror, muajin e kaluar, e ka kthyer prapa vendimin e Kuvendit të Prizrenit të datës 31 dhjetor 2021, me arsyetimin se buxheti nuk është shqyrtuar paraprakisht në Komitetin për Politikë e Financa. Ky komitet është formuar në seancën e mbajtur në fund të janarit dhe pas konfirmimit të ligjshmërisë ka mbajtur mbledhjen e parë, në të cilën e ka shqyrtuar buxhetin si dhe listën e pronave komunale që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë këtij viti.

Antigona Bytyqi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka bërë të ditur për vendimin e Komitetit.

“Pas shqyrtimit të këtyre dy pikave, të dyja janë miratuar në Komitetin për Politikë dhe Financa, dhe po shpresojmë që të miratohen edhe në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit, që e kemi më 15 shkurt”, ka thënë Bytyqi.

Në anën tjetër, Karanfil Haxhillari, nga grupi i këshilltarëve komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë, ka theksuar se ende nuk kanë vendosur nëse do ta mbështesin vendimin për buxhetin, pasi ish-opozita që tani është në pushtet, sipas tij, është sjellë me dyfytyrësi sa i përket kësaj politike publike.

“Tri herë ka ardhur në vitin e kaluar, tri seanca ka qenë i njëjti buxhet, të cilën opozita e kaluar e tani që është në pozitë, e ka lëshuar sallën, nuk e kanë votuar, është votuar kundër dhe i njëjti buxhet vjen sot, pra i njëjti pothuajse pa asnjë ndryshim dhe sigurisht që është një dyfytyrësi dhe tash na kërkohet neve që ta votojmë të njëjtin buxhet të cilin ata nuk e patën votuar në vitin e kaluar”, ka thënë Haxhillari.

Buxheti i komunës së dytë më të madhe në vend, për vitin 2022, sipas projeksioneve të miratuara në fund të dhjetorit, do të jetë 49 milionë e 455 mijë e 755 euro. Nga to, si grant qeveritar do të jenë 42 milionë euro, 2 milionë euro më shumë se granti qeveritar i vitit paraprak.