Kuvendi i Komunës së Prizrenit në ditën e fundit të këtij viti do të mblidhet për të shqyrtuar propozim-buxhetin për vitin 2022.
Sipas njoftimit të organeve komunale, kryesuesja e KK-së, Antigona Bytyqi ka konvokuar mbledhjen e jashtëzakonshme të organit më të lartë vendimmarrës lokal, me një pikë të rendit të ditës. "Për punën e kësaj mbledhjeje do të jetë ky rend dite: Shqyrtimi dhe miratimi i propozim-buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2022, si dhe parashikimi për vitet 2023 dhe 2024", thuhet në ftesën e nënshkruar nga kryesuesja Bytyqi.
Në materialin e dërguar nga zyrtarët komunalë figuron propozim-vendimi për miratimin e buxhetit për vitin 2022 dhe parashikimi për vitin 2023 dhe 2024, me c'rast theksohet se buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm është 49 milionë e 456 mijë euro. Prej tyre, nga granti qeveritar pritet të realizohen mbi 42 milionë euro, derisa nga të hyrat vetjake pritet të realizohen afër 7.4 milionë euro. Ndërkaq te shpenzimet thuhet se ato do të orientohen për paga e mëditje 21 milionë e 350 mijë euro, afër 1 milionë e 900 mijë euro për subvencione, pastaj 8 milionë e 650 mijë euro për mallra e shërbime, mbi 1 milionë euro për shpenzime komunale dhe 16 milionë e 500 mijë euro për investime kapitale.
Ndërsa parashikimi i buxhetit për vitin 2023 kap vlerën prej afër 52 milionë eurove, derisa parashikimi i buxhetit për vitin 2024 është mbi 54 milionë euro.
Në mesin e projekteve kapitale të listuara në propozim-buxhet kanë gjetur vend edhe projektet që kanë qenë premtime elektorale të kryetarit të ri të Komunës, Shaqir Totaj, por edhe të subjekteve që janë partnerë të koalicionit, sikurse fizibiliteti dhe ndërtimi i nënkalimit nga BVI-ja deri në Bazhdarhane, fizibiliteti dhe ndërtimi i parkingut nëntokësor te parku, pastaj Porta triumfale, etj.
Përbërja e kaluar e Kuvendit të Komunës së Prizrenit nuk e pati miratuar propozim-buxhetin për vitin 2022 të përgatitur nga Ekzekutivi që drejtohej nga Mytaher Haskuka. Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur në mes të muajit tetor, pak ditë para zgjedhjeve komunale, pas shumë polemikave ndërmjet anëtarëve të koalicionit qeverisës dhe opozitës, 15 kuvendarë patën votuar në favor të miratimit të propozim-buxhetit, derisa 19 të tjerë patën votuar kundër.
Sipas legjislacionit në fuqi për financat publike, komunat janë të obliguara të aprovojnë buxhetin për vitin e ardhshëm fiskal në KK deri më datën 30 shtator të vitit vijues dhe ta dorëzojnë atë në Ministrinë e Financave.
Në seancën e dytë të përbërjes së re, anëtarët e KK-së së Prizrenit me shumicë votash patë zgjedhur Antigona Bytyqin nga radhët e PDK-së në funksionin e kryesueses, me ç'rast 6 nga 7 anëtarët e LDK-së patën braktisur seancën, për të vijuar me reagime kundër veprimeve të lidershipit të degës së PDK-së edhe pas përfundimit të seancës.
Pas zgjedhjeve komunale të nëntorit, në KK-në e Prizrenit që ka 41 vende, VV-ja përfaqësohet me 12 anëtarë, pasuar nga PDK-ja me 11 anëtarë, LDK-ja me 7, AAK-ja me 3, Nisma me 2, KDTP-ja me 2, derisa NDS, Vakat, SDU dhe YTHP përfaqësohen me nga 1 anëtar. PDK-ja në prag të balotazhit ishte pajtuar për bashkëqeverisje me AAK-në dhe Nismën. LDK-ja pati deklaruar neutralitetin në prag të rundit të dytë. Për të krijuar shumicën në KK, PDK-ja ka nevojë edhe për partnerë tjerë të koalicionit, prandaj deri më tani kryetari Shaqir Totaj nuk i ka emëruar drejtorët e Ekzekutivit komunal.