• Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me liderët politikë për të diskutuar lidhur me situatën politike në vend. Takimi është zhvilluar pa praninë e mediave.
• Kryetari i LVV-së Albin Kurti nuk është deklaruar pas përfundimit të takimit. “Më duhet të shkoj me shpejtësi", ka thënë ai.
• Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në takimin me presidenten Osmani është bërë e qartë që askush s’mund ta krijojë shumicën e re parlamentare. Ai ka thënë se kryetari i LVV-së Albin Kurti ka kërkuar edhe disa ditë për të bërë shumicën, por sipas Krasniqit ai “as në ëndrrat më të mira s’mund ta bëjë shumicën”.
• Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje. Ai ka thënë se në takim është bërë e qartë që nuk ka shumicë parlamentare dhe se i takon që këtë ta përcaktojë Osmani deri të mërkurën.
•    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me Osmanin ka bërë thirrje që të mos humbet kohë dhe që në afatin e parë kushtetues të shpallen zgjedhjet parlamentare.
 
Krasniqi: Kurti i do edhe disa ditë, por as në ëndrrat më të mira s’mund ta bëjë shumicën
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në takimin me presidenten Vjosa Osmani është bërë e qartë që askush s’mund ta krijojë shumicën e re parlamentare.
Sipas tij kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme që Osmani të vinte në konkludim të tillë dhe të vepronte në drejtim të shpalljes së zgjedhjeve.
“Në këtë moment rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve. E bëmë të qartë qëndrimin tonë që përkundër përpjekjeve për të bërë qeveri bashkë me paritë që ishin në opozitë nuk kemi arritur një gjë të tillë dhe imponohet shkuarja drejt zgjedhjeve të parakohshme”, është shprehur Krasniqi.
Ai ka thënë se kryetari i LVV-së Albin Kurti ka kërkuar edhe disa ditë për të provuar nëse mund ta bëjë shumicën.
“Kurti na i ka humbur 8 muaj me manipulim, mashtrim e taktizim dhe tash po i kërkon edhe disa ditë. Ai në mënyrë të kundërligjshme është duke vazhduar të jetë në zyrë. Vetëm zgjatja e kësaj situate është arsyeja themelore sepse as në ëndrrat e tij më të mira ai s’mund ta bëjë shumicën”, ka deklaruar Krasniqi.
“Nëse kemi zgjedhje tash jam i bindur që këto zgjedhje do ta prodhojnë stabilitetin për 5 vjetët e ardhshme”, ka shkruar Krasniqi.
Haradinaj: 7 dhjetori mund të jetë opsion për zgjedhjet
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që të mos humbet kohë dhe që në afatin e parë kushtetues të shpallen zgjedhjet parlamentare.
“Presidentja ka deri më 5 nëntor afat, besoj më 5 nëntor do ta marrim lajmin për shpërndarjen e Parlamentit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve dhe interes do ishte sa më shpejt, në 30 ditë. Data 7 dhjetor do të ishte opsion me ia kursy Kosovës, mos me shku në 40 ditë. Qëndrimi i AAK-së ishte që ne nuk dëshirojmë t’i humbim kohë vendit, në afatin e parë kushtetues të mbahen zgjedhjet parlamentare”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka kërkuar kohë deri më 5 nëntor, prandaj edhe zgjedhjet sipas afatit kushtetues mund të mbahen më 7 ose 14 dhjetor.
“Nuk është arritë një marrëveshje për shumicë nga opozita. Kjo na ka pamundësuar që t’u kërkojmë ndihmë edhe komuniteteve. I ftoj për mirëkuptim të gjithë që në afatin e parë kohor pas zgjedhjeve të ardhshme të reflektojmë dhe të veprojmë për krijimin e qeverisë. Nëse Kurti nuk do kërkonte edhe disa ditë deri më 5 nëntor, presidentja do të mund sot të merrte vendim dhe do ishte i mundur 1 dhjetori. Por meqë po vonohet deri më 5, data e parë e mundshme është 7 dhjetor, data e dytë do jetë 14”.
Abdixhiku: U bë e qartë që s’ka shumicë parlamentare, vendi të shkojë në zgjedhje sa më parë
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me liderët politikë, ka thënë se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje.
Ai ka thënë se në takim është bërë e qartë që nuk ka shumicë parlamentare.
Megjithëkëtë ai ka thënë se kryetari i LVV-së Albin Kurti ka thënë që “ndoshta duhet provuar edhe njëherë”.
Abdixhiku ka thënë se i takon presidentes që të përcaktojë a ka shumicë.
“Në këtë takim u bë e qartë edhe njëherë nga përfaqësuesit e partive politike se nuk ka shumicë parlamentare, tani i takon presidentes që deri të mërkurën të përcaktojë a ka shumicë parlamentare ... Pati pretendime nga kryetari i LVV-së që ndoshta duhet provuar edhe njëherë, por shumica e partive politike ishin të qartë se nuk ka shumicë”, është shprehur Abdixhiku.
Ai ka thënë se në takim kanë folur edhe për mundësi të vazhdimit të buxhetit.
“U fol për një mundësi të vazhdimit të buxhetit të vjetër, qëndrimi ynë është i qartë që sa më herët i caktojmë zgjedhjet më herët bëhet Qeveria e re”, ka theksuar Abdixhiku.
Përfundon takimi i Osmanit me liderët politikë, Kurti s’deklarohet
Ka përfunduar takimi i presidentes Vjosa Osmani, me liderët politikë.
Pas përfundimit të takimit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti nuk ka pranuar të deklarohet për media.
“Më duhet të shkoj me shpejtësi ka thënë ai.
Nis takimi i presidentes me liderët politikë
Ka nisur takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike, nga të cilët do të kërkojë të deklarohen nëse i kanë numrat për formimin e qeverisë së re.
Megjithatë, bazuar në deklaratat e deritashme, asnjë subjekt politik nuk ka arritur që ta sigurojë shumicën në Kuvend. Për pasojë, opsion i vetëm mbeten zgjedhjet e parakohshme.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, para takimit ka thënë shkurt për mediat se "do të përpiqemi që të gjejmë një zgjidhje dhe falënderojmë zonjën Presidente për organizimin e takimit".
 
 
                     
                                                                                             
                                                                                                                     
                                                                                                                     
                                                                                                                     
                                                                                                                    