Përditësim 15:15 – Shkarkimi i Valbon Krasniqit nga drejtori i SHSKUK-së nuk ka ndodhur në mbledhjen e Bordit drejtues të mërkurën. Megjithatë, mbledhja pritet të vazhdojë javën e ardhshme dhe aty pritet të finalizohet largimi i tij, ka mësuar KOHA.
Në një njoftim për media, Bordi drejtues pas takimit të sotëm ka bërë të ditur se “ka shqyrtuar raportin final të Zyrës Kombëtare të Auditimit për SHSKUK, si dhe pika të tjera të përcaktuara më parë me rendin e ditës”.
“Shqyrtimi përmbajtjes së raportit të auditimit do të vazhdojë në mbledhjen e radhës të Bordi Drejtues”, thuhet në njoftim.
Krasniqi dhe anëtarët e bordit drejtues nuk i janë përgjigjur thirrjeve të KOHËS deri në publikimin e përditësimit.
Shkarkimi i Valbon Krasniqit nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës është në rend dite në mbledhjen e Bordit të SHSKUK-së që pritet të mbahet të mërkurën, ka mësuar KOHA.
Krasniqi ka mbajtur këtë pozitë që nga shkurti i vitit 2021 zyrtarisht, ndërsa disa muaj më herët ushtroi detyrën e drejtorit pas largimit të Basri Sejdiut.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës është themeluar në vitin 2013 si institucion autonom dhe i pavarur publik shëndetësor, me rëndësi të veçantë publike, me seli në Prishtinë. SHSKUK përbëhet nga institucionet e nivelit dytësor dhe tretësor të kujdesit shëndetësor në sektorin publik të shëndetësisë.
SHSKUK-ja ka pasur buxhet 135 milionë euro sivjet.
Dy drejtorët e mëhershëm të këtij institucioni nuk i kanë përfunduar mandatet. Basri Sejdiu është shkarkuar disa muaj më herët, e Curr Gjocaj ishte dorëhequr në vitin 2017.