Nuk është mbajtur mbledhja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, në agjendë të së cilës ka qenë edhe raportimi i anëtarëve të Bordit të SHSKUK-së dhe drejtorit të përgjithshëm. Deputetë opozitarë kritikuan Vetëvendosjen dhe thanë se synon ta shmangë menaxhmentin e SHSKUK-së nga përgjegjësia.
Ikje nga përgjegjësia dhe llogaridhënia e kanë cilësuar deputetët opozitarë mosmbajtjen e mbledhjes së kësaj të marte të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, në të cilën ishte paraparë raportimi i anëtarëve të Bordit Drejtues dhe i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.
Deputetë opozitarë theksojnë se mbledhja u anulua pa asnjë sqarim apo njoftim paraprak nga deputeti i Vetëvendosjes, Haxhi Avdyli, që është kryetar i komisionit.
“Askush nga partitë opozitare shqiptare nuk e ka kuptu se pse është shty raportimi në Komision, dhe ne kemi kërkuar menjëherë përmes email-eve sqarim dhe po ashtu kemi kërkuar që sa më shpejt kjo çështje të vjen në rend të ditës”, ka thënë
Artan Behrami, deputet i PDK-së.
Ndërsa, Armend Zemaj, deputet i LDK-së e ka vlerësuar të domosdoshëm raportimin, për më tepër që sipas tij ka dyshime për degradim të këtij sektori.
Edhe
Opozita kërkon që ministri Vitia të raportojë në komision parlamentar
“Këta tentojnë të ikin nga përgjegjësia e raportimit dhe të minimizojnë rolin mbikëqyrës që ka Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ne kemi interesim që të dëgjojmë prej Bordit të SHSKUK-së po ashtu edhe prej drejtorit për gjendjen, për ankesat dhe mbi të gjitha për dyshimet që ka degradim total në këtë sektor, në kuptimin në plotin”, ka theksuar Zemaj.
E, kryetari i Komisionit, Haxhi Avdyli, nuk ka treguar arsyet e anulimit të mbledhjes, por ka paralajmëruar se ajo do të mbahet brenda muajit prill.
“Mbledhja e radhës e komisionit që do mbahet të hënën e ka në rend dite miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Sigurime shoqërore, e në mbledhjen e radhës, që do të mbahet brenda muajit prill, do të ketë raportim të bartësve të institucioneve shëndetësore”, ka thënë Avdyli.
Bordi Drejtues i SHSKUK-së përfundon mandatin më 26 prill. Avdyli nuk është përgjigjur në pyetjen nëse mbledhja, ku është paraparë raportimi i anëtarëve, do të mbahet para kësaj date.
Këtë garanci nuk e dha as anëtari tjetër i komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Fitim Haziri, i cili arsyetoi edhe mosmbajtjen e mbledhjes.
Edhe
“Ku shkuan 1.8 miliardë euro” e “cili është vizioni” – opozita ankohet për shëndetësinë
“Disa prej anëtarëve të komisionit funksional të shëndetësisë jemi anëtarë të komisionit ad hoc për intervistimin e kandidatëve për RTK dhe KPM. Për RTK i kemi përfunduar, tash i kemi intervistat për komisionin e pavarur të mediave dhe kjo varet prej kohës... momentin që krijohet mundësia dhe koha ne do ta thërrasim në raportim”, është arsyetuar Haziri.
Vetëm Haziri dhe deputeti i LDK-së, Zemaj, janë pjesë edhe e komisioneve ad hoc. Edhe pa ta nuk do të cenohej kuorumi në Komisionin parlamentar për shëndetësi.