Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Pritet që të gjithë ta votojnë demarkacionin”

23:40 - Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se pas një takimi që ka pasur me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj është optimist se Kuvendi më në fund do të kalojë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Deda ka thënë se ka marrë informata nga Limaj lidhur me një iniciativë që të arrihet një marrëveshje garantuese me Malin e Zi, që nëse gjinden gabimet mund të ketë rinegocim.

“Zyrtarisht me kërkesë të zv.kryeministrit Fatmir Limaj jemi takuar sot më herët. Më ka informuar për iniciativën e tij për biseda në Mal të Zi dhe jam që t’i japim hapësirë. Më tregoi që Mali i Zi është i gatshëm që të ndihmojë Kosovën që ta kalojë demarkacionin. Nëse shkon siç jemi informuar, ma merr mendja se i gjithë Kuvendi do të votojë marrëveshjen e demarkacionit. Ne nuk guxojmë ta rrëzojmë demarkacionin në Kuvend. Ideja është të miratohet me garanci. Ka shumë mundësi si dy qeveri mund të marrin garancinë, zotimin, përkushtimin apo çka do që është vetëm le të na çojë tutje”, ka thënë Deda në Interaktiv të KTV-së.

Deda ka thënë se nëse Kosova dëshiron që në dhjetor të ketë liberalizim të vizave kjo duhet të përfundojë në muajin shkurt. Sipas tij, në të kundërtën liberalizimi nuk bëhet as më 2019.

Ai ka folur edhe për negociatat me Serbinë ku ka ftuar që të arrihet konsensus politik në vend.

“Për me qenë seriozë dhe që Kosova të përfitojë ulëse në OKB dhe të përfundojë problemet me Serbinë është të kemi konsensus. Konsensusi është që të caktohet një strategji, një ekip negociues, cilat janë temat tona jetike, cilat nuk janë e të tjera. Paralelisht kur të ndodhin arrestimet nga Specialja duhet të jemi të dinjitetshëm që të jemi moralisht superior në tavolinë me Serbinë dhe jo të ndihemi keq në atë tavolinë. Ne kemi superioritet moral kur kërkohet hapja e varrezave masive në Serbi, kur kërkojmë kthimin e pensioneve ë qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Deda.

Sa i përket Gjykatës Speciale, Deda thotë se akoma nuk është bindur që krerët e partive në koalicion janë tërhequr nga tentativa për shfuqizim.

“Kush po thotë që janë tërhequr. Që t’u besojmë deklaratave të tilla duhet partitë e tyre të marrin vendim publik që partitë po tërhiqen nga ajo kërkesë. Kërkesa është ende në qeveri dhe qeveria duhet që deri më 20 shkurt të japë mendim. Nëse këta tërhiqen, iniciativa nuk vlen më”, ka thënë ai.

Deda ka thënë se izolimi me viza është ndër sanksionet e fundit që SHBA-ja mund t’u bëjë liderëve kosovarë. Ai ka thënë se duhet të përcillen se me kë do të takohen krerët kosovarë gjatë qëndrimit të tyre në SHBA për “Lutjet e Mëngjesit”.


Deda kërkon bashkim opozitar

23:46 - Ilir Deda, deputeti i Alternativës, ka kërkuar që partitë opozitare të bashkohen në mënyrë që të marrin përkrahjen e popullit dhe të ndryshojnë qeverisjen.

Ai ka thënë se Vetëvendosje dhe LDK duhet të definojnë një program për Kosovën dhe që të mos ketë më dallime mes partive me vetëm një apo dy për qind në zgjedhje.

“Të shohim a mund të definojmë një listë ku mund të dalim me një program për Kosovën. Duhet të kemi mandat të qartë të popullit. Na duhet një qeveri që ka përkrahjen e popullit me më së paku 45 deputetë apo 50 që mund të mbërrihen varësisht prej ofertës. Ajo duhet të jetë shumë e sinqertë se sa është e gjatë koha e përmirësimit të jetës së tyre. Në politikë ne do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë opozitare. S’kemi asnjë pengesë”, ka thënë Deda.

Sa i përket deklaratave se kryetari i ri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte ndaluar fyerjet ndaj Dedës, pas largimit nga kjo parti, deputeti i Alternativës ka thënë se kjo nuk qëndron.

“E kanë harruar njerëzit që kur kam kundërshtuar dhunën ka pas tentim për linçim. Tash ka pak famë për këtë gjë. S’kam qejf që të përmendet emri im. E kam përfunduar me ta më 2016. Dihet pse kam dalë prej VV-së, e qartë ka qenë. Bindje të ndryshme politike dhe jemi nda ashtu siç mendoj se duhet”, ka shtuar Deda.


Deda pret vit të vështirë, por me fund të mirë për Kosovën

23:52 - Sipas deputetit të Alternativës, Ilir Deda, Kosova do të ketë një vit shumë të vështirë më 2018, për shkak të Gjykatës Speciale. Ai megjithatë mendon se fundi do të jetë më i mirë, ndërsa Kosova do të hyjë në vitin tjetër me qeveri të re.

“Ky vit ka me qenë shumë e vështirë. Do të jetë i rëndë, por fundin do ta kemi më të mirë. Me qeveri të re. Zgjedhjet janë të pashmangshme. Kryekëput i referohem Gjykatës Speciale. Ne kemi dëgjuar aq shumë data se kur do të fillojë, por po më duket se po afrohet. Këtë e shoh si fazë të rëndë që do të zgjasë disa muaj. Do të ketë zgjedhje dhe qeveri të re”, ka thënë Deda në Interaktiv të KTV-së.

Deda ka thënë po ashtu se ka pritur qeverisje tjetër nga kryeministri Ramush Haradinaj. Thotë se ka pritur bashkëpunim nga ai me partitë opozitare, dhe se jo që të jetë “reciklim i qeverive të shkuara”.

Sipas Dedës, Haradinaj tash ka ndryshuar shumë nga hera e parë kur kishte qeverisur dhe tani ka “logjikën e Hashim Thaçit”.


Deda: Topi për anëtarësim në BE është te vendet e Ballkanit, Kosova s’avancon me këtë qeveri

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, thotë se strategjia e Komisionit Evropian për zgjerim të Bashkimit Evropian i ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor një rrugë finale. Sipas tij, topi tash është gjuajtur te shtetet në rajon dhe popujt e tyre.

Deda në Interaktiv të KTV-së ka thënë se strategjia e Komisionit Evropian ka bërë të ditur se më nuk do të tolerojë vende ku ka elemente të kapjes së shtetit, korrupsionit, keqpërdorimit të pozitave shtetërore dhe ku s’ka ekonomi të zhvilluar. Sa i përket Kosovës ka thënë se me rëndësi është që të arrihet marrëveshja për normalizim me Serbinë.

“Evropa në një mënyrë e ka gjuajtur topin te shtetet në rajon dhe popujt në rajon. Kanë thënë se çdo vend i rajonit ka elementet e kapjes së shtetit, korrupsionin, keqpërdorimin e pozitave shtetërore, s’ka ekonomi të zhvilluar dhe këto duhet marrë fund. Për Kosovën është me rëndësi që deri më 2020-21 të kryhet demarkacioni me Serbinë e deri vitin e ardhshëm të përfundohet marrëveshja për normalizim dhe të ndalet kundërshtimi i Spanjës. Duhet që shtetësia e Kosovës të mos kundërshtohet prej askujt, në bazë të marrëveshjes që duhet të arrijmë me Serbinë”, ka thënë Deda.

Megjithatë, sipas Dedës, Kosova nuk mund të avancojë me qeverinë aktuale. Ai ka thënë se vendit i duhet një qeveri tjetër që nuk i neglizhon obligimet.

“Kosova e ka momentin historik, por jo me këtë qeveri. Mund të avancojmë shumë shpejt, por për këtë në zgjedhjet e ardhshme na duhet përkrahja e popullit. Këta që janë në pushtet nuk e çojnë Kosovën në Evropë. Duhen njerëz tjerë që të kthejnë kredibilitetin e vendit. Kosova ka pasur 22 prioritete deri në vitin 2018, ndërsa kemi mbërri vetëm dy. Domethënë kemi ngelur. Këta mendojnë që politika është llaf. Ajo s’është, duhet veprim. Kemi zyrën e BE-së që i monitoron institucionet. E shohin që institucionet tona janë rrush e kumbulla dhe se prioritetet s’përmbushen. Po të kishim zgjidhur demarkacionin më 2015/2016 sot do të ishim pa viza. Po t’i ishim përmbajtur obligimeve, sot do të kishim një datë të përafërt për kandidaturë. Por e kemi bllokuar veten dhe kemi hapur të tjera, si kjo me Specialen. Kemi udhëheqësi që po prodhon krizë. Ajo nuk do të sjellë asnjë rezultat pozitiv”, ka thënë Deda.

Artikuj të ngjashëm