Dy studime të fizibilitetit në sektorin e shëndetësisë, e që bien ndesh me njëra-tjetrën, janë prezantuar të shtunën në mbledhjen e tretë të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi.
Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës thuhet se në mbledhjen e tretë të këtij Komisioni janë prezantuar studimi për Spitalin e Prishtinës, i përgatitur nga ICME dhe i prezantuar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe një tjetër për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, i prezantuar nga eksperti gjerman për ekonomi shëndetësore, Thomas Weismann.
Përderisa i pari synon t’ia shtojë vendit spitalin e kryeqytetit, në studimin e dytë eksperti gjerman bën thirrje për riorganizim të kapaciteteve aktuale. Studimi i tij ka titullin “Përmirësimi i infrastrukturës fizike të institucioneve të kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar”.
Në një nga pikat e studimit, Weismanni ka thënë se numri i stafit shëndetësor në disa spitale është më i madh se që do të duhej. Ka marrë për shembull numrin e 3830 infermierëve dhe mamive nëpër spitale duke thënë se 2323 do të ishin të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve. 111 ishte numri i personelit shëndetësor “i tepërt”, sipas Weismannit, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Madje në një nga pikat për vitet e shkuara, Weismann në studim ka thënë se rreth 35 për qind e kapaciteteve të shtretërve në spitalet dhe klinikat e Kosovës është e lirë, ndërsa standardi ndërkombëtar kërkon që shkalla e shtretërve të zënë të jetë te 85-përqindëshi.
Përderisa spitali i Prishtinës ka mbetur pjesë e premtimeve ndër vite, në studimin e Weismannit nuk përmendet ndërtimi i ndonjë spitali të ri.
Edhe
Spitali i Prishtinës pritet të ngrihet pa koordinim e analizë