Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara janë angazhuar për të hapur kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në fusha të ndryshme e në përputhje me vizionin e presidentit amerikan, Donald Trump. Këtë ajo e tha pas takimeve me zyrtarë të lartë të administratës amerikane dhe një ditë pasi i konfirmoi deklaratat e Trumpit se së voni është parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës e Serbisë
Kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara paralajmëroi presidentja, Vjosa Osmani, pas takimeve të zhvilluara me zyrtarë të lartë amerikanë në Washington.
Osmani njoftoi se në kuadër të vizitës së saj në SHBA, të premten pati takim me zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau.
“Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të presidentit Trump. Më shumë siguri. Më shumë zhvillim. Më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe bizneset tona”, tha ajo.
E, zëvendëssekretari i Shtetit, Landau, tha se me presidenten Osmani ka diskutuar për fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik.
Në Washington, Osmani mori pjesë edhe në një tryezë diskutimi me diplomatë e ekspertë, lidhur me synimet strategjike të politikës së jashtme të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe përkushtimin për forcimin e aleancës me SHBA-në.
E një ditë më herët, Osmani komentoi mbi pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se është parandaluar përshkallëzimi i mundshëm mes Kosovës e Serbisë. Për këtë, ajo tha se është e qartë se bëhet fjalë për zhvillim të javëve të fundit.
“Nga informatat e sigurisë që i marr çdo ditë, Trumpi e ka parandaluar një ndezje të mundshme së fundmi. S’po flasim për 2023-tën, 2020-ën, por për zhvillime shumë, shumë të vona. Meqenëse ka ndodhur më parë, parandalimi dhe frenimi janë thelbësorë... Duhet një telefonatë, një paralajmërim, dhe kjo është pikërisht ajo që ndodh kur Amerika e merr një rol udhëheqës”, deklaroi Osmani.
Tek e kujtoi sulmin terrorist të 2023-tës në Banjskë, Osmani theksoi se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe se nuk duhen nënvlerësuar, tek e lavdëroi angazhimin e KFOR-it për siguri dhe stabilitet në Kosovë.
Kosova është rikthyer në vëmendjen ndërkombëtare me deklarata e fundit të presidentit Trump. Ai së fundi i ka rikujtuar një sërë ndërhyrjesh ndërkombëtare gjatë mandatit të parë, përfshirë edhe rolin e tij në ndaljen e asaj që e quajti “luftë të mundshme” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.