Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PRAK: Spitali i Pejës dhe SHSKUK-ja të marrin përgjegjësi për skandalin me foshnjën

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) thotë se me shqetësim të madh e ka pranuar lajmin për skandalin me foshnjën në Spitalin e Pejës.

PRAK ka thënë se ky rast shpërfaq papërgjegjësinë e një pjese të stafit shëndetësor.

Shoqata ka fajësuar politikën e cila po bën reformë rrënjësore tash e 20 vjet, shtoi ajo.

“Ky lajm, përveç se është tronditës edhe njëherë shpërfaqë papërgjegjësinë e një pjese të stafit shëndetësor dhe sistemin e brishtë shëndetësor që ka vendi! Rasti i fëmiut me autizëm në Gjilan, rasti i vrasjes së gruas dhe fëmiut të saj të palindur në QKUK, rasti i foshnjes në Spitalin e Pejës, janë pasoja të një politike të papërgjegjshme të ndjekur tash e 20 vite e cila po bëhet edhe më e papërgjegjshme këto ditë, e nëse nuk ka një reformë rrënjësore këto raste do të përsëriten”, thuhet në komunikatën e saj.

PRAK-u ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme ndaj personave të përfshirë në rast dhe personave të cilët kanë tentuar ta fshehin këtë rast.

“Gjithashtu, kërkojmë nga menaxhmenti i SP Pejë dhe ai i SHSKUK-së të marrin përgjegjësi për këtë rast skandaloz që ka ndodhur. Përgjegjshmëria dhe llogaridhënia ndaj publikut shkon përtej obligimeve ligjore”.