Një fëmijë një vjet e gjysmë ka vdekur të enjten në Spitalin e Pejës dhe policia është duke e hetuar rastin që e ka cilësuar si “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
Sipas raportit të Policisë babai i fëmijës ka thënë se në këtë spital e kishte dërguar për trajtim fëmijën edhe një ditë më herët, të mërkurën, dhe se pas trajtimit e kishin liruar në shtëpi.
Të enjten sipas babait fëmija është dërguar edhe njëherë në spital pasi ka pasur gjendje të rëndë shëndetësore dhe aty ka vdekur.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se fëmija i tij, rreth një vit e gjysme, pasi e kishte dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, për shkak se kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, ka ndërruar jetë. Sipas ankuesit, ai edhe me datën 05.11.2025 fëmijën e kishte dërguar për trajtim në spitalin e njëjtë dhe pas tretmanit ishte liruar në shtëpi”, thuhet në raportin policor.
Njësitë relevante policore thuhet se kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Për rastin ka shkruar edhe Spitali i Përgjithshëm në Pejë.
Në njoftimin e Spitalit thuhet se fëmija është pranuar në spital në orën 22:15 të datës 5 nëntor 2025 nga mjeku kujdestar, me ankesa për të vjella. Pas trajtimit të ofruar thuhet se gjendja e tij është stabilizuar dhe ai është liruar me rekomandimin që të përcillet nga afër dhe, në rast nevoje, të rikthehet për kontroll shtesë.
“Në mëngjesin e datës 6 nëntor 2025, rreth orës 07:00, fëmija është sjellë sërish në spital, këtë herë në gjendje të rëndë, me çrregullime të vetëdijes dhe probleme serioze në frymëmarrje. Menjëherë është trajtuar nga ekipi i mjekëve me oksigjen dhe terapi mbështetëse, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes është kryer intubimi nga ekipi i anesteziologëve. Pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra me përkushtim dhe sipas protokolleve mjekësore, fatkeqësisht fëmija ka ndërruar jetë në orën 08:50”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Spitali menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosovës, në orën 09:13, si dhe organet kompetente për zhvillimin e hetimeve sipas ligjit.
“Spitali mbetet në dispozicion të institucioneve përgjegjëse për çdo sqarim shtesë, duke respektuar dhimbjen dhe privatësinë e familjes”, thuhet në njoftim.