Arbëri

Vdekja e fëmijës një vjeç e gjysmë - familjarët akuzojnë mjekët për neglizhencë

Policia ka konfirmuar nisjen e hetimeve për vdekjen e një fëmije një vjeç e gjysmë në Spitalin e Pejës. Prindërit e dërguan për trajtim të mërkurën vonë, por pas terapisë, mjekët e lëshuan për në shtëpi. Në orët pasuese iu rëndua gjendja, dhe vdiq të enjten paradite, pak kohë pasi u soll për të dytën herë në spital

Hetim për mënyrën se si u trajtua në Spitalin e Pejës ka kërkuar familja e fëmijës një vjeç e gjysmë që nuk arriti t’i mbijetonte një problemi të shkurtër shëndetësor.

Në orët e vona të së mërkurës, prindërit e dërguan në Spital fëmijën, pasi kishte të vjella. Pas trajtimit, ai u lëshua në shtëpi. Por, meqë gjendja iu rëndua në orët pasuese, më mëngjes të enjten është dërguar sërish në spital dhe pas pak kohësh ka ndërruar jetë.

Pas dyshimeve të ngritura të familjes, Policia ka nisur hetimet për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.

“Sipas ankuesit, ai edhe më datën 5.11.2025 fëmijën e kishte dërguar për trajtim në spitalin e njëjtë dhe pas tretmanit ishte liruar në shtëpi. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, ka bërë të ditur Policia.

Por, sipas versionit të dhënë nga menaxhmenti i Spitalit të Pejës, fëmija është liruar, pasi i ishte stabilizuar gjendja.

“Në mëngjesin e datës 6 nëntor 2025, rreth orës 07:00, fëmija është sjellë sërish në spital, këtë herë në gjendje të rëndë, me çrregullime të vetëdijes dhe probleme serioze në frymëmarrje. Menjëherë është trajtuar nga ekipi i mjekëve me oksigjen dhe terapi mbështetëse, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes është kryer intubimi nga ekipi i anesteziologëve. Pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra me përkushtim dhe sipas protokolleve mjekësore, fatkeqësisht fëmija ka ndërruar jetë në orën 08:50”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Pejës.

Zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë dashur të ndajnë më shumë informacione përtej atyre që janë bërë publike në komunikatën e lëshuar në mëngjes.

Në spital nuk e bënë të ditur diagnozën fillestare dhe as arsyen pse fëmija nuk është hospitalizuar herën e parë.

Ndërkaq, në familjen e fëmijës së vdekur thatë se janë në pritje të raportit të obduksionit, që pritet të zbardhë shkakun e vërtetë të vdekjes së fëmijës.