Në vitin 2009, Posta e Kosovës ka ushtruar padi ndaj Komunës së Obiliqit për çështjen pronësore rreth objektit të saj në këtë komunë. Ndërkohë, në muajin maj, ndërmarrja ka bërë edhe propozim për caktimin e masës së sigurisë pasi Komuna synon që ta rrënojë atë objekt, për t’i hapur rrugë vazhdimit të sheshit “Dëshmorët e kombit”. Në Gjykatën Themelore të Prishtinës kanë thënë se kjo lëndë është përgjegjësi e Gjykatës Komerciale, kurse për propozimin e masës së sigurisë kanë deklaruar se nuk e kanë në shkresa
Posta e Kosovës prej 13 vjetësh po e pret zgjidhjen e kontestit pronësor, të cilin e ka me Komunën e Obiliqit. Padia që është bërë në vitin 2009 ndaj Komunës së Obiliqit ende nuk ka marrë epilog. Zyrtarët e Postës së Kosovës përgjigje nuk kanë marrë as për propozimin për caktimin e masës së sigurisë që është bërë sivjet, pasi Komuna e Obiliqit planifikon rrënimin e objektit të Postës, që ndodhet në qendër të qytetit.
“Propozimi për caktimin e masës së sigurisë ndaj Komunës së Obiliqit ёshtё dorëzuar në gjykatë, më datë 27.5.2022. Deri tani nuk kemi marrë përgjigje nga Gjykata Themelore, në propozimin e bërë lidhur me caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, edhe pse afati ligjor i shqyrtimit është treditor”, ka thënë Arsim Mehmeti, zyrtar për marrëdhënie me publikun në Postën e Kosovës.
Ndërkohë Mirlinda Gashi, zyrtare për informim publik në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke iu referuar përgjigjes së gjyqtarit të lëndës, ka thënë se pas shikimit të shkresave në këtë lëndë nuk kanë ndonjë propozim për caktimin e masës së sigurisë. Kurse sa i përket padisë, ajo ka theksuar se lënda në fjalë është e evidentuar me numër C.nr.2223/2009, ku palë paditëse është Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës sh.a., Prishtinë, kurse palë e paditur është Komuna e Obiliqit dhe KEK sh.a, me seli në Prishtinë.
“Palë në këtë lëndë janë personat juridikë, kurse në bazë të nenit 13, paragrafi 1, pika 1.7 e Ligjit për Gjykatën Komerciale, kompetente për të gjykuar në këtë kontest është Gjykata Komerciale, prandaj kjo lëndë është evidentuar për t’u transferuar në atë gjykatë. Lëndën e kam pranuar nga një gjyqtar tjetër i kësaj gjykate, në gusht të vitit 2020”, thuhet në përgjigjen e gjyqtarit dërguar nëpërmjet Zyrës për informim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
KOHA ka raportuar edhe në muajin maj rreth kontestit pronësor ndërmjet Postës së Kosovës dhe Komunës së Obiliqit. Kuvendarët e Obiliqit e kishin votuar një marrëveshje zotimi me të cilin e autorizonin kryetarin e Komunës për të negociuar me Postën e Kosovës për dislokimin e Postës në një lokacion të ri në qytet, ndërsa objektin aktual ta rrënojnë për t’i hapur rrugë vazhdimit të sheshit “Dëshmorët e Kombit”. Kjo marrëveshje, që bart edhe logon e Postës, nuk është e nënshkruar nga zyrtarët e saj.
“Posta, që është aktualisht është e ndërtuar që në vitet e hershme, afërsisht në vitet ’70. Mirëpo, tash ne e kemi ndërmarrë një hap për ndërtimin e sheshit në atë zonë aty. Në vitet e kaluara i kemi rrënuar disa objekte që kanë qenë me karakter banimi dhe e kemi bërë shpronësimin, i kemi larguar banorët aty, u kemi bërë zgjidhje përmes vlerësimit, ua kemi bërë edhe pagesat. Mirëpo, tash në vazhdën e zhvillimit të sheshit është edhe rrënimi i Postës, vendimi i mëhershëm i Kuvendit”, ka thënë në muajin maj Arben Berisha, drejtor për Planifikim Urban.
Vonesa në ekzekutimin e këtij vendimi, sipas tij, ka ndodhur për shkak të pandemisë COVID-19.
“Unë më herët, në muajin e kaluar, e kam njoftuar Postën, i kam bërë shkresë zonjës Fakete, që është ushtruese detyre e kryeshefit ekzekutiv, por paraprakisht e kam thirrur në takim, kanë ardhur zyrtarët e Postës - zyrtarët juridikë - dhe jemi konsultuar me ta, i kemi njoftuar në detaje për hapat që do t’i ndërmarrim edhe kemi menduar me e trajtua këtë lëndë shumë me kujdes, për shumë arsye”, është shprehur drejtori për Planifikim Urban.
Ndryshe kanë thënë zyrtarët e Postës së Kosovës Sh.a. Në një përgjigje me shkrim të muajit maj, ata kanë cekur se objekti i Postës në Obiliq është ndërtuar bazuar në kontratën mbi dhënien e tokës ndërtuese në shfrytëzim të përhershëm nr. 1428/2, të datës 22.01.1976, të lidhur nga Drejtoria për Ndërtimin dhe Rekonstruktimin e Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes së komunikacionit PTT (tani Posta e Kosovës Sh.A.). Tutje në përgjigje thuhet se deri tash nuk e ka pasur të kontestuar pronën dhe lejen.
“Sipas Aktvendimit nr.08-351-943, datë 26/09/1977, shihet se investues i ndërtimit të objektit të Postës në Obiliq ka qenë ish-ndërmarrja e komunikacionit - PTT (tani Posta e Kosovës Sh.A.). Sa i përket njësisë kadastrale nr.0689/0, në të cilën gjendet i ndërtuar prej vitit 1977 objekti i Postës së Kosovës në Obiliq dhe që kjo njësi kadastrale tani evidentohet në emër të Komunës së Obiliqit, konsiderojmë se Posta e Kosovës Sh.A. e ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm mbi këtë njësi kadastrale, bazuar në nenin 40 pika (1) të Ligjit nr. 2009/03-L-154, për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore, ku kjo dispozitë tekstualisht përcakton: ‘Personi i cili me mirëbesim e ka 20 vjet në posedim të pandërprerë një paluejtshmëri ose një pjesë të saj e fiton pronësinë në të”, kanë thënë nëpërmjet këtyre përgjigjeve zyrtarët e Postës. “Po ashtu edhe neni 12 i Ligjit për Marrëdhënie Pronësore - Juridike (LMTHMJP) nr.827, datë 30/01/1980, ka përcaktuar: ‘Kur ndërtesa mbi të cilën ekziston e drejta e pronësisë është ndërtuar në pajtim me ligjin, në tokën në pronësi shoqërore pronari i ndërtesës ka të drejtën e shfrytëzimit të tokës në të cilën është ngritur ndërtesa dhe të tokës që shërben për përdorimin e rregullt të kësaj ndërtese derisa ajo të ekzistojë’. Mbi këtë bazë është ngritur padi për vërtetim pronësie nr. 05-5460/29, datë 01/10/2009, e cila ende nuk ka epilog”.
Berisha ka theksuar se i kanë ofruar Postës 2-3 lokale në objektet që ishin ndërtuar për banorët e Hades, por që Posta nuk e kishte pranuar.
“Unë nuk kam dashur në formën e vrazhdët me i nxjerrë prej aty, se ata duhet me dalë prej aty. Kjo është çështje e përfunduar”, kishte thënë drejtori Berisha.
Por, zyrtarët e Postës kanë thënë se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore për çfarëdo hapi që do të ndërmarrë Komuna e Obiliqit.