Arbëri

Posta kundërshton rrënimin e objektit të saj në Obiliq

Kuvendarët e Obiliqit e kanë miratuar një marrëveshje zotimi për dislokimin e Postës në këtë komunë në një lokacion të ri. Komuna planifikon rrënimin e objektit të vjetër për t’i hapur rrugë vazhdimit të sheshit “Dëshmorët e Kombit”. Marrëveshja është miratuar pa nënshkrimin e titullarit të objektit, Postës së Kosovës. Zyrtarët e kësaj të fundit thonë se për këtë çështje në vitin 2009 kanë ngritur edhe padi për vërtetimin e pronësisë ku tash është objekti i Postës, por që deri tash kjo çështje nuk ka marrë epilog. Kundër rrënimit të Postës ka dalë edhe partia opozitare, Vetëvendosje

Kuvendarët e Obiliqit e kanë votuar një marrëveshje zotimi ku flitet për dislokimin e Postës së Kosovës-dega në këtë qytet në një lokacion të ri, pa nënshkrimin e palës tjetër. Komunarët e Obiliqit po e kontestojnë pronën në të cilën tash është objekti i vjetër. Drejtori për Planifikim Urban, Arben Berisha, thotë se prona është komunale dhe se ekziston një vendim i mëhershëm i Kuvendit për rrënimin e këtij objekti për t’i hapur rrugë vazhdimit të sheshit “Dëshmorët e Kombit”. Ai nuk ka preferuar ta quajë këtë marrëveshje, por ka thënë se me këtë dokument është autorizuar kryetari i komunës për të negociuar me Postën e Kosovës rreth dislokimit.

“Posta që është aktualisht, është e ndërtuar që në vitet e hershme, afërsisht vitet ’70. Mirëpo, tash ne e kemi ndërmarrë një hap për ndërtimin e sheshit në atë zonë aty. Vitet e kaluara i kemi rrënuar disa objekte që kanë qenë me karakter banimi dhe e kemi bërë shpronësimin, i kemi larguar banorët aty, iu kemi bërë zgjidhje përmes vlerësimit iu kemi bërë edhe pagesat. Mirëpo, tash në vazhdën e zhvillimit të sheshit është edhe rrënimi i postës, vendimi i mëhershëm i Kuvendit”, ka thënë Arben Berisha.

Vonesa në ekzekutimin e këtij vendimi, sipas tij, ka ndodhur për shkak të pandemisë COVID-19.

“Muajin e kaluar e kam njoftuar postën, i kam bërë shkresë zonjës Fakete, që është ushtrues detyre e kryeshefit ekzekutiv, por paraprakisht e kam thirrur në takim, kanë ardhur zyrtarët e postës - zyrtarët juridikë dhe jemi konsultuar me ta, i kemi njoftuar në detaje për hapat që do t’i ndërmarrim edhe kemi menduar me trajtu këtë lëndë me kujdes për shumë arsye”, është shprehur drejtori për Planifikim Urban. “Njëra ndër to, që Posta është një institucion shtetëror edhe mbi të gjitha e ka një gjendje bukur të rëndë ekonomike, qysh na i kemi informatat. Në kuadër të kësaj kemi dashtë me i trajtuar shumë mirë, së pari i kemi njoftuar që ata janë në pronë komunale. Nuk ka të bëjë asgjë me postën dhe objekti nuk figuron në aparat kadastral”.

Arben Berisha ka theksuar se Posta i ka disa dokumente investive, disa dokumente në kuadër të lejes ndërtimore që, sipas tij, komuna është e gatshme t’ua pranojë.

“Ne i kemi disa lokale që janë pronë komunale dhe iu kemi ofruar zgjidhje qysh së bashku e kemi paraparë. Në parim jemi marrë vesh se duhet me u largu, me ua dhënë 2 ose 3 lokale, me ua dhënë një kioskë në shesh, me ua bë edhe një kënd edhe brenda në komunë edhe kështu që me u ofruar atyre një shërbim që me na e krye edhe neve një shërbim edhe me qenë sa më afër qytetarëve tanë”, ka theksuar drejtori Berisha. “Mirëpo, ushtruesja e detyrës ka kërkuar që me taku Bordin e Postës dhe më kthen shkresë se nuk janë të pajtimit. Besoj që javën e ardhshme do ta kemi edhe një takim edhe nëse është nevoja edhe me Bordin, por unë nuk kam dashtë në formën e vrazhdë me i nxjerr prej aty, se ata duhet me dalë prej aty. Kjo është çështje e përfunduar”.

Drejtori për Planifikim Urban ka thënë se pozita ku tash është posta në Obiliq është larg qytetarëve. Por, kur është pyetur se vendi ku komuna e ka paraparë dhënien e 2-3 lokaleve për postën është më në periferi, Berisha ka thënë se ata e shikojnë interesin e komunës.

“Së pari na duhet me i pa interesat e Komunës së Obiliqit. Interes i Komunës së Obiliqit është ta përfundojë sheshin. Në vazhdën e përfundimit është edhe posta. Posta është çështje e përfunduar. Pjesën ku e kemi paraparë na është shumë më e frekuentuar, se është unazë që nuk ka tjetër rrugë. Ajo e shkarkon Obiliqin, nuk ka tjetër”.

Ndryshe kanë thënë zyrtarët e Postës së Kosovës. Në një përgjigje me shkrim, ata kanë thënë se objekti i Postës në Obiliq është ndërtuar bazuar në kontratën mbi dhënien e tokës ndërtuese në shfrytëzim të përhershëm nr.1428/2, të datës 22.01.1976, të lidhur nga Drejtoria për Ndërtimin dhe Rekonstruktimin e Komunës së Prishtinë dhe Ndërmarrjes së komunikacionit PTT (tani Posta e Kosovës Sh.A.). Tutje në përgjigje thuhet se deri tash nuk i ka pasur të kontestuar pronën dhe lejen.

“Sipas aktvendimit Nr.08-351-943, datë 26/09/1977, shihet se investues i ndërtimit të objektit të Postës në Obiliq ka qenë ish-ndërmarrja e komunikacionit - PTT (tani Posta e Kosovës Sh.A.). Sa i përket njësisë kadastrale Nr.0689/0, në të cilën gjendet i ndërtuar prej vitit 1977 objekti i Postës së Kosovës në Obiliq dhe që kjo njësi kadastrale tani evidentohet në emër të Komunës së Obiliqit, konsiderojmë se Posta e Kosovës Sh.A. e ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm mbi këtë njësi kadastrale, bazuar në Nenin 40 pika (1) të Ligjit Nr. 2009/03-L-154, Për Pronësinë dhe të Drejtat tjera Sendore ku kjo dispozitë tekstualisht përcakton: ‘Personi i cili me mirëbesim e ka 20 vjet në posedim të pandërprerë një paluajtshmëri ose një pjesë të saj e fiton pronësinë në të”, kanë thënë nëpërmjet këtyre përgjigjeve zyrtarët e postës. “Po ashtu, edhe neni 12 i Ligjit për Marrëdhënie Pronësore - Juridike (LMTHMJP) Nr.827, datë 30/01/1980, ka përcaktuar: ‘Kur ndërtesa mbi të cilën ekziston e drejta e pronësisë është ndërtuar në pajtim me ligjin, në tokën në pronësi shoqërore pronari i ndërtesës ka të drejtën e shfrytëzimit të tokës në të cilën është ngritur ndërtesa dhe të tokës që shërben për përdorimin e rregullt të kësaj ndërtese derisa ajo të ekzistojë’. Mbi këtë bazë është ngritur padi për vërtetim pronësie Nr. 05-5460/29 datë 01/10/2009, e cila ende nuk ka epilog”.

Zyrtarët e postës kanë theksuar se kanë qenë të njoftuar me një draft-marrëveshje zotimi nga ana e komunës, por për të njëjtën nuk janë dakorduar dhe as nuk janë të njoftuar që kjo është miratuar në Kuvendin Komunal.

“Ne e kemi informuar aksionarin lidhur me situatën e krijuar. Me qëllim të mbrojtjes së interesave tona pronësore-juridike, ne kemi iniciuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë propozim për caktimin e masës së sigurisë”.

Zyrtarët e postës nuk e shohin me interes lokacionin ku i është caktuar nga Komuna e Obiliqit.

“Jemi ndërmarrje publike, e cila ofron shërbime, për dhe në interes të qytetarëve, duke bërë përpjekje të jemi sa më pranë qytetarëve, ku frekuentojnë dhe realizojnë kërkesat dhe nevojat e tyre. Dislokimi pamundëson ofrimin e shërbimeve sipas kërkesave të qytetarëve, vështirëson qasjen e lehtë dhe lehtësimet aktualisht të ofruara në baza ditore. Hapësira aktuale e objektit të Postës së Kosovës është në disproporcion qoftë nga madhësia, qoftë nga lokacioni, fillimisht i ofruar nga komuna me të cilin nuk jemi pajtuar, prandaj çështja është adresuar tek aksionari”, thuhet tutje në përgjigjet e Postës së Kosovës Sh.a. “Kemi të bëjmë me një ofertë fillestare nga komuna, nuk kemi informata se çka është miratuar njëanshëm nga komuna, shkresa e fundit ka qenë ‘Paralajmërim’ me kërkesë për vazhdimin e bisedimeve në interes të zgjidhjes së çështjes, e pranuar përmes postës më 25.05.2022”.

Kundër rrënimit të objektit të postës është edhe Lëvizja Vetëvendosje në Obiliq. Shefi i Grupit të këshilltarëve të kësaj partie, Sami Ahmeti, ka thënë se marrëveshja e cila është miratuar në Kuvend është e njëanshme.

“Ajo e ka vetëm njërën palë, do të thotë vetëm Komunën e Obiliqit, në ndërkohë që pjesën e postës nuk i është referuar ndonjë emri, ose ndonjë menaxheri të atij institucioni. D.m.th. neve na është prezantuar një marrëveshje e njëanshme ku supozohet se Posta dhe Komuna e Obiliqit bëjnë marrëveshje për dislokimin e postës në një zonë periferike të qytetit, çka ne jemi kundër për faktin se ky është një aset shtetëror dhe do të duhej të jetë në qendër të qytetit në mënyrë që të ofrojë shërbime për qytetarët”, ka theksuar Sami Ahmeti. “Përveç kësaj, në atë marrëveshje ceket se ky objekt do të rrënohet, çka ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi kundër, për faktin se ky objekt është i ndërtuar me materiale të forta, i plotëson kushtet për rinovim. Nëse vetë posta nuk do të qëndrojë këtu, ne patëm kërkesë që në këtë institucion të vendosen personat me aftësi të kufizuara që fatkeqësisht në Komunën e Obiliqit jetojnë më shumë se 350 të tillë”.

Shefi i GK të VV-së ka thënë se kjo kategori nuk ka asnjë objekt në shfrytëzim.

“Ne mendojmë që ky objekt nuk duhet të rrënohet, për faktin se nuk e pengon sheshin. Në vendimin e parë të Kuvendit Komunal, posta nuk ka qenë e paraparë të rrënohet, por ka qenë një objekt tjetër që është afër Policisë së Republikës së Kosovës, objekt që ky sipas informatave ka disa biznese në të që janë pronë e zyrtarëve të Komunës së Obiliqit. Ai objekt që është në mes të sheshit, e që është shumë më i dëmtuar se ky nuk parashihet të rrënohet, në ndërkohë që rrënimi i postës parashihet”, ka thënë Ahmeti. “E ritheksoj që posta që nga fillimi i funksionimit të saj, qysh para luftës ka qenë në këtë pozicion, ndërkohë që komuna thotë se tash nuk ka leje të qëndrojë aty. Nëse ne, çdo pushtet që ndërrohet fillon me i revidua lejet paraprake, atëherë ne nuk po bëjmë gjë vetëm se po punojmë me teke”.

Në anën tjetër, Arben Berisha ka thënë se nuk është marrëveshje ndërmjet postës dhe komunës ajo që është miratuar në Kuvend, por vetëm është autorizuar kryetari që të negociojë me postën për të gjetur një zgjidhje për dislokimin e saj në një lokacion tjetër.