Vendimin e Kuvendit Komunal të Obiliqit për t’i zhvendosur objektet e tregut të qytetit në një vend tjetër po kundërshtohet nga shfrytëzuesit e lokaleve aty. Pos që kanë thënë se nuk i kanë pyetur askush për këtë vendim, vendi ku tash mendohet të ndërtohen këto lokale, sipas tregtarëve, është i papranueshëm. Kundër këtij vendimi ka dalë edhe partia opozitare, Vetëvendosje, sipas së cilës ky veprim i komunës i hap udhë secilit qytetar që nesër ta kërkojë edhe dislokimin e objektit të administratës
Kuvendarët e Obiliqit kanë marrë vendim për zhvendosjen e objekteve që ishin ndërtuar në emër të tregut të qytetit. Vendimin, Kuvendi e ka marrë në seancën e para një jave dhe shfrytëzuesit e objekteve thonë se nuk janë njoftuar. Ata ankohen se do të detyrohen t’i mbyllin bizneset nëse komunarët vendosin ta jetësojnë vendimin.
“Kurrkush nuk na ka pyetur. Nuk është i pranueshëm kur nuk e dimë ku e çojnë tregun, ku e transferojnë. Nëse e transferojnë andej qysh kam dëgjuar, s’na vyen send, as si treg e as si servis. Nuk ka shanse, nga të shkojmë andej, si të kalojmë (hekurudhën v.j.)”, ka thënë Besnik Mjekiqi, i cili ka rreth një vit që punon në njërin prej këtyre lokaleve.
Edhe pronari i lokalit llamarinapunues “Toli”, Mentor Kurteshi, ka thënë se askush nuk i ka njoftuar për zhvendosjen e objekteve të tregut në një lokacion tjetër. Ai e ka konsideruar të papranueshëm vendimin që tregu të ndërtohet matanë hekurudhës.
“Askush nuk na ka njoftuar. Për ne është i papranueshëm ky vendim. Nëse komuna e zbaton këtë vendim, ne detyrohemi ta mbyllim lokalin se nuk kemi ku të shkojmë. Vendi ku është caktuar është i papërshtatshëm për ne. Qe një vit jemi këtu. Kemi punuar edhe në tregun e vjetër”, ka theksuar Kurteshi.
Kërkesën në Komunë për heqjen e këtyre objekteve e ka bërë Reis Sallova. KOHA e ka kontaktuar Sallovën për të marrë arsyen e kërkesës së tij, por fillimisht tha se ishte i zënë dhe se do të lajmërohej pas pak, e më pas nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike.
Thirrjeve telefonike nuk u është përgjigjur as drejtori për Planifikim Urban, Kadastër dhe Pronë, Arben Berisha.
Ndërkohë, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë po e shohin me dyshim vendimin e partisë në pushtet për zhvendosje të objekteve të tregut, pasi, sipas tyre, Reis Sallova është edhe ndërtues privat.
“Kjo kërkesë na ka ardhur në Komitetin për politikë dhe financa vetëm si kërkesë e personit të interesuar. Ndërkohë ne si KPF kemi kërkuar që të shqyrtohet prej drejtorisë dhe drejtoria të vijë me një informacion shtesë në lidhje me këtë kërkesë. Në këtë formë vetëm disa minuta para fillimit të seancës na ka ardhur ky material, për të cilin nuk kemi pasur mundësi ta shqyrtojmë dhe as nuk e kemi ditur hapësirën e saktë se ku parashihet të dislokohet ai treg”, ka thënë Sami Ahmeti, shef i grupit të kuvendarëve të LVV-së në Obiliq.
Ai thotë se ajo pronë ku aktualisht është tregu është shpronësuar nga hekurudha e Kosovës.
Sipas tij, ky investim i Komunës është pa plan.
“Nëse e bëjmë një formë të tillë, ka mundësi të vijë dikush edhe të kërkojë që edhe objektin e komunës ta dislokojë në një vend tjetër, meqë po e pengon dikë”, është shprehur Sami Ahmeti.
Kuvendari Ahmeti ka thënë edhe për objektet e tregut aktual se kanë mangësi, si furnizimi me energji elektrike e kushte të tjera për punë.