LAJMET E MBRËMJES

Merret nën kontroll objekti në Graçanicë, ku veproi Posta e Serbisë

Gjatë aksionit të së enjtes, zyrtarë të Postës së Kosovës i kanë trajtuar aspektet teknike dhe logjistike në drejtim të funksionalizimit të objektit për shërbime të kësaj ndërmarrjeje. Në Postën e Kosovës kanë bërë të ditur se objekti ka qenë pronë e ndërmarrjes së komunikacionit “Posta, Telegrafia dhe Telefonia” (PTT) dhe se gjatë muajve të fundit janë përfunduar procedurat kadastrale për kalimin e saj në pronësi të PK-së

Nëntë muaj pas mbylljes, Postës së Serbisë, që ka funksionuar ilegalisht në Graçanicë, të enjten i janë larguar logot nga objekti i cili është marrë nën kontroll nga Posta e Kosovës.

Ky objekt është mbyllur në kuadër të një aksioni të gjerë për shuarjen e institucioneve në jug të Ibrit, të cilat kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.

Gjatë aksionit të së enjtes, zyrtarë të Postës së Kosovës i kanë trajtuar aspektet teknike dhe logjistike në drejtim të funksionalizimit të objektit për shërbime të kësaj ndërmarrjeje.

Në Postën e Kosovës kanë bërë të ditur se objekti ka qenë pronë e ndërmarrjes së komunikacionit “Posta, Telegrafia dhe Telefonia” (PTT) dhe se gjatë muajve të fundit janë përfunduar procedurat kadastrale për kalimin e saj në pronësi të PK-së.

Drejtori i Postës së Serbisë për Kosovë, Ivan Milojeviq, i cili ka qenë i pranishëm gjatë marrjes së objektit nga Posta e Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), është ankuar për “uzurpim” të godinës nga “institucionet” e Kosovës.

“Ky nuk është rasti vetëm në Graçanicë, ndodh në Shtërpcë, Leposaviq, kudo. Ne, serbët nga Kosova, u dëbuam nga qytetet dhe punuam me postën tonë për 25 vjet në fshatra, në shtëpi private. Edhe ajo pak që bëmë sot po na merret. Ndërtesat e ish-postës së përbashkët mbetën në qytete, ekskluzivisht për ta”, ka thënë ai.

Në Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë thënë se inspektimi i objektit është bërë nëpërmjet Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) dhe se shfrytëzuesit e deritashëm të tij kanë qenë të paligjshëm.

“Dhe rrjedhimisht, prona ishte e uzurpuar. IQMT ka inspektuar këtë operator ekonomik ku pala nuk ka dëshmuar dokumentet që dëshmojnë se operon sipas ligjeve në Kosovës. Në anën tjetër, Posta e Kosovës e ka prezantuar dokumentacionin që dëshmon që prona është e tyre. Tashmë hapësira është liruar dhe atë do të mund ta shfrytëzojë pronari i saj, pra ndërmarrja Posta e Kosovës”, kanë njoftuar në MINT.

KOHA ka provuar që të sigurojë më shumë informacione edhe nga Posta e Kosovës, porse të enjten nuk ka marrë përgjigje.

Zyrat e Postës së Serbisë në Kosovë janë mbyllur në janar të këtij viti, si pjesë e një aksioni të Policisë së Kosovës kundër dhjetëra institucioneve paralele serbe që kanë funksionuar në Graçanicë, Lipjan, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skenderaj.

Krahas Postës, në fillim të këtij viti dryni u është vënë edhe disa institucioneve ilegale, si komuna, banka, kompani pastrimi e të tjera.