Arbëri

Politikë me video

Partitë politike kanë zgjedhur një formë të re “konfrontimi” nëpërmjet mediave online.

Lëvizja Vetëvendosje në pushtet në disa video në Facebook ka goditur qeverisjet e kaluara. Në pak ditë, ajo së fundmi publikoi dy sosh me titullin “Çka ka, çka s’ka”. Sipas saj, qeveritë e kishin zhytur Kosovën në vjedhje të miliona eurove, shitje të tokave me 1 euro ari, keqpërdorim të parasë publike, ndërsa tash e dy vjet, sipas partitë në pushtet, këto nuk ekzistojnë.

VV-ja i ka përmendur edhe oligarkët, faljet e borxheve, zgjedhjet serbe në Kosovë, emërimet partiake, punësimet pa konkurs e shantazhimin e institucioneve nga “sindikatat partiake”.

Në të njëjtën formë, kanë vendosur t’i përgjigjen partitë opozitare. E para i reagoi Partia Demokratike e Kosovës. Më 24 janar, partia opozitare e akuzoi Qeverinë Kurti se po i del krah ambasadorit Martin Berishaj, i apostrofuar në mediat kroate dhe sllovene për shmangie të taksave.

“Ai u mor në mbrojtje nga kryeministri Kurti”, thuhet në videon 4-minutëshe të PDK-së.

“Trendit” të videove u është bashkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Partia e Ramush Haradinajt ka akuzuar të enjten mbrëma Qeverinë për punësime familjare.

Pa reagim në “stilin e ri të politikëbërjes” deri më tani ka ngelur vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës.

Videot e partive po konsiderohen mjete për të krijuar presion publik dhe për të krijuar polarizim. Artan Alijaj, njohës i çështjeve politike, ka thënë në KONFRONT-in e KTV-së të mërkurën se videot po shpërndahen në periudha "të përshtatshme" për subjektet.

Por, sipas Alijajt, videot s’janë të suksesshme.

“Nëse bazohemi në dy raste kur është përdorur nga dy parti, ka dalë e pasuksesshme. Në kohën jashtëzgjedhore, zakonisht këto video mund të përdoren për të ngritur presion. Nuk e marr detyrimisht negative që është përdorur nga VV. Ata e kanë një qëllim që duan ta arrijnë. Në periudha jashtëzgjedhore ideja është që të krijohet presion në një proces politik”, ka thënë ai.

Sipas Alijajt, kjo mënyrë komunikimi nëse nuk rezulton e suksesshme, do të ketë pasoja për partitë politike nga votuesit.