Arbëri

Vetëvendosje me një video të re godet opozitën e sindikatat

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka goditur ish-qeveritë dhe sindikatat, me një video të radhës.

Vetëvendosje në një video të postuar në Facebook ka thënë se gjatë “këtyre dy vjetëve nuk ka më vjedhje, zhvatje e hajni”.

Në video janë përmendur skandale të ndryshme të së kaluarës, ndër të tjera "terminalet doganore, vjedhja e dy milionë eurove nga Thesari i Kosovës, vjedhja e drogës nga terminalet doganore, si dhe shitja e tokave me 1 euro ari”.

“Nuk ka privatizim të fabrikave e tokave shtetërore me 1 euro ari. Nuk ka pronësi mbi terminalet doganore. Nuk ka vjedhje të drogës në dhomë të dëshmive. Nuk ka këshilltarë e shoferë ministror që bartin drogë me logjistikë shtetërore. Nuk ka vjedhje të 2 milionë eurove nga Thesari në pikë të ditës. Nuk ka më zhvatje të dhjetëra miliona eurove nga ndërmarrjet publike prej oligarkëve. Nuk ka falje të miliona eurove për kompanitë e mëdha vendore e të huaja veç pse i është tekur dikujt. Nuk ka më emërime familjare e partiake në borde të ndërmarrjeve publike. Nuk shuhen më departamente e taskforca antikorrupsion”, thuhet në videon e Vetëvendosjes.

Sa i përket sindikatave, i ka quajtur ato partiake, duke thënë se më Qeveria “nuk shantazhohet nga ato”. E po ashtu ka thënë se me qeverisjen e saj "Lista Serbe më nuk ka fuqi për të kushtëzuar". 

“Nuk ka më punësime pa konkurs e me konkurs të kurdisur. Universiteti nuk përjashtohet nga ENQA. Institucionet nuk shantazhohen më nga sindikatat partiake. Nuk ka mikpritje të kriminelëve serbë në zyrën e kryeministrit. Nuk ka zgjedhje të Serbisë e referendume të saj brenda Kosovës. Nuk ka më fuqi Lista Serbe për ta kushtëzuar qeverinë. Nuk ka parajsa të drogës e të kriptovalutave në veri të vendit. Nuk ka nënshkrime për ‘Zajednicën’ apo ‘Asociacionin e as falje të territorit. Nuk ka lobim për ndarjen e Kosovës. Nuk ka pra vjedhje, zhvatje, hajni. Pasurim të politikanëve nga politika. Nuk ka pasurim të bizneseve dhe familjeve të lidhura me pushtetin. Nuk ka nënshtrim dhe nënshkrim kundër Republikës së Kosovës. Nuk ka banda kriminale, hajni, mësymje private. Ka shtet, ka shoqëri, ka qytetari. Ka Republikë!” – thuhet në videon e Vetëvendosjes.