Arbëri

PDK-ja i përgjigjet VV-së me video: Çka ka Albini, kallëzon Martini

Partia Demokratike të Kosovës ka publikuar një video që flet për “aferën Berishaj”, të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Në video, PDK-ja akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po e mbron ambasadorin Berishaj, derisa tha se “e vërteta nuk do të mund të fshihet”.

PDK-ja shkroi për mediat sllovene që raportuan për tërheqjen e mbi 600 mijë eurove të Berishajt, nga llogaria e kompanisë së Berishajt “MB Consulting”.

PDK-ja tha se paratë Berishaj i kishte marrë nga kompania GEN, me degë në Beograd të Serbisë.

“Ambasadori Berishaj nuk u shkarkua, nuk u soll para drejtësisë në Kosovë. Ai u mor në mbrojtje nga kryeministri Kurti”, thuhet në videon e PDK-së.

Në prill të vitit të kaluar, ambasadori Berishaj akuzohej nga mediat në Lubjanë se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni.

Mbështetur në raportimet e asaj kohe, kompania e ambasadorit Berishaj, “MB Consulting”, i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Berishaj i ka mohuar akuzat.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pati deklaruar se s’ka arsye për shkarkimin e ambasadorit.

“Ai shkarkohet kur ka arsye faktike. Deri në këtë moment unë nuk kam asnjë informacion të vetëm zyrtar që shkelje të tilla kanë ndodhur”, kishte theksuar Gërvalla.

Reagime të shumta patën bërë edhe liderë të partive opozitare.

Ndërsa, gjatë së martës Lëvizja Vetëvendosje publikoi një video duke sulmuar qeveritë e kaluara për zhvatje në infrastrukturën rrugore.