Milot Krasniqi, aktivist i Partisë Demokratike të Kosovës, është liruar nga Policia e Kosovës, pak orë pas arrestimit për hedhjen e dinarëve të printuar ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në Forumin Ekonomik Kosovë-Kroaci.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke njoftuar për lirimin e aktivistit të partisë së tij, e ka cilësuar të padrejtë dhe arbitrar arrestimin e Krasniqit. Ka thënë se ka qenë Berishaj, ai që duhej të arrestohej.
“Miloti tashmë është liruar, por ai që në të vërtetë do të duhej të arrestohej sot është vetë Ambasadori Berishaj, për aferën e dyshimtë korruptive dhe për dëmin e madh që i ka shkaktuar imazhit të Kosovës. Ai dhe Kryeministri Kurti, bashkëpunëtori dhe mbrojtësi i tij, nuk mund të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke marrë pjesë nëpër aktivitete publike. Janë miliona euro që Ambasadori Berishaj i ka marrë nga kompania GEN-I me seli në Beograd, disa kallëzime penale të ngritura e dhjetëra raportime të mediave ndërkombëtare për aferën skandaloze, që kërkojnë sjelljen e tij para drejtësisë. I vetmi vend ku Martin Berishaj do të duhej të fliste është para organeve të drejtësisë, e jo nëpër konferenca. Për të vërtetën dhe llogaridhënien e plotë të kësaj afere nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e plotë të saj!” ka shkruar Krasniqi në Facebook.
PDK-ja qe disa muaj ka kërkuar shkarkimin e Berishajt, që kur shpërtheu afera financiare në të cilën Berishaj pretendohet se është i përfshirë.
Vetë Berishaj i ka mohuar të gjitha akuzat.
-
Aktivisti i PDK-së e “mbulon” me dinarë Martin Berishajn
-
Berishaj i quan “spekulime me prapavijë politike” akuzat për shpëlarje parash
-
PDK-ja i përgjigjet VV-së me video: Çka ka Albini, kallëzon Martini
-
Edhe PDK-ja bën thirrje për shkarkimin e ambasadorit Berishaj
-
Ambasadori Berishaj intervistohet si i dyshuar për shpëlarje parash