Është ora 8 e mëngjesit.
Qytetarë nga mbarë Kosova e kanë zgjedhur poliklinikën private në Graçanicë si adresë për trajtimin e problemeve shëndetësore.
Një qytetar, të martën tha se ishte për herë të parë në këtë poliklinikë. Arsye është ardhja e një mjeku nga Serbia.
“E para herë që erdha këtu, por s’po di çka me thanë. E kom caktuar terminin, tash të shoh”, tha ai.
E një pacient tjetër nuk e ka për herë të parë vizitën te kjo klinikë.
“Është hera e dytë që kam ardhur këtu, kam ardhur për disa analiza me ia bë shoqes, përfundi gjurit ka problem. Njeri kur është në zor i provon të gjitha”, u shpreh ai.
Të rrallë janë pacientet me etni serbe në këtë poliklinikë. Madje pyetja se kush e viziton më shumë këtë klinikë i duket qesharake një prej themeluesve të saj, Ljiljana Smiliq, specialiste e reumatologjisë dhe imunologjisë.
“Normalisht kam më shumë shqiptarë ha-ha-ha”, tha Smiliq.
Ajo thotë se janë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa në mënyrë të tërthortë fajtor i bën mjekët e Kosovës, të cilët, sipas saj, një pjesë të madhe të pacientëve nuk i trajtojnë në mënyrë adekuate. Shton se ata shpesh diagnostikohen në mënyrë të gabuar.
“Shumë pacientë janë mjekuar gabimisht. Kur them janë trajtuar gabimisht e kam fjalën që ndoshta në Prishtinë po, por në qytetet e tjera nuk kanë reumatolog. Pra të trajtohesh nga një mjek i përgjithshëm ose ortoped është punë që s’bëhet”, u shpreh ajo.
Në poliklinikë, siç është e përcaktuar edhe me ligj, nuk kryhen ndërhyrje e as shërbime që kërkojnë hospitalizim.
“Pacientët që janë trajtuar në Beograd e dinë ku shkojnë. Kur vijnë aty, ata vinë me besimin që do të marrin kujdesin e duhur. Kur caktojmë termin, ne dërgojmë dikë që i pret dhe menjëherë kujdeset për ta”, shtoi ajo.
Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për trajtimin e ankesave të pacientëve. Por të rralla janë rastet kur qytetarët janë ankuar në mjekë e institucionet kanë marrë masa.
Një raport për vitin 2020 i kësaj ministrie tregon se brenda një viti kalendarik janë ankuar 179 pacientë.
Në lidhje me këtë, janë marrë masa për gjashtë raste: si, 4 vërejtje me gojë, 1 heqje e mëditjes dhe 1 masë disiplinore.
Të martën MSh-ja nuk është përgjigjur nëse humbja e besimit të pacientëve në sistemin shëndetësore lidhet me mosadresimin e pakënaqësive të adresuara ndër vite.
Edhe pse në klinika të tilla ku nuk ka pothuajse asnjë person nga stafi shëndetësor kosovar aty vazhdojnë të presin pacientë kosovarë, madje edhe komunikojnë shqip me ta.
“Po valla, unë po di me fol kapak shqip”, tha mjekja serbe, Smiliq.