Zgjedhja e mjekut familjar nuk është vetëm një procedurë administrative, por diçka që ndikon direkt në shëndetin tonë.
Për shkak të rëndësisë së përcjelljes së historisë shëndetësore të një pacienti, stilit të jetesës së tij dhe shqetësimeve të përditshme, është mirë që një qytetar të ketë mjekun e përzgjedhur tek i cili drejtohet çdoherë.
Për të lehtësuar këtë gjë, Ministria e Shëndetësisë nga viti i kaluar ka nisur një pilot-projekt, ku qytetarët përzgjedhin mjekun e tyre familjar përmes sistemit e-Kosova.
Por në kryeqytet problemi është se në aplikacion janë regjistruar vetëm dy nga 18 Qendrat e Mjekësisë Familjare. Prandaj, qytetarët mund të zgjedhin mjekun e tyre familjarë vetëm fizikisht.
“Ministria e Shëndetësisë e ka pasur vetëm si pilot-projekt në Prishtinë përzgjedhjen e mjekut familjar, ku i ka përfshirë vetëm dy qendra të mjekësisë familjare në e-Kosova, atë të ‘Dardanisë’ dhe të ‘Bregut të Diellit’. Aty është mbushur numri i paraparë, por kjo ka mbetur pra aty vetëm si pilot-projekt dhe asnjëherë nuk janë përfshirë këtu edhe QMF-të e tjera, pra ka ngecur dhe nuk është duke funksionuar. Të gjithë pacientët mund të bëjnë përzgjedhjen e mjekut familjar fizikisht në qendrat e tyre më të afërta të mjekësisë familjare”, thekson kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Valdet Hashani.
Specialistja e mjekësisë familjare, Arieta Pula, tregon se pse është e rëndësishme përzgjedhja e mjekut familjar nga çdo pacient.
“Është obligim i çdo qytetari që të zgjedh mjekun familjar në atë zonë ku banon. Kjo ka rëndësi shumë të madhe, pasi do të ketë një adresë të caktuar për t’u lajmëruar për problemet shëndetësore që i ka. Mjeku familjar është një mjek specialist që ofron kujdes shëndetësor për të gjithë individët. Ofron një kujdes të gjithanshëm dhe në mënyrë të personalizuar pa marrë parasysh llojin e sëmundjes”, deklaron Pula.
Nga mjeku familjar pacienti mund të referohet edhe te nivelet e tjera shëndetësore.
“Mjeku familjar i përzgjedhur si pikë e parë e pacientit në ofrimin e shërbimeve shëndetësore sipas nevojës mund të referojë pacientin edhe në nivele të tjera shëndetësore, por duke pasur parasysh kthimin e pacientit përsëri te mjeku familjar për ta njoftuar me informatën kthyese, pasi mjeku familjar e përcjell pacientin që nga lindja deri në pleqëri”, thotë Pula.
Përfitimet nga mjekësia familjare janë se pacientin e njohin në hollësi për të gjitha problemet shëndetësore që mund t’i ketë, madje edhe për shqetësimet që mund t’i ketë brenda në familjen e tij.
“Mjeku familjar duke njohur historikun familjar të sëmundjeve, pra të atyre që mund t’i trashëgojë. Faktorët e rrezikut, alergjitë e tij e gjithë kjo do të kontribuojë të ketë një trajtim më të suksesshëm për të. Po ashtu mjeku familjar koordinon shërbimet shëndetësore në nivelet tjera të kujdesit shëndetësor. Përfitimet nga mjekësia familjare vijnë se pacienti njihet në hollësi gjatë gjithë kohës në vazhdim dhe në çdo moment që pacienti ka një krizë apo një shqetësim tjetër ai drejtohet te mjeku familjar. Kjo ka rëndësi se në anën tjetër pacienti të flasë hapur edhe për problemet e tij dhe ndikon në bashkëpjesëmarrjen aktive në trajtimin e problemeve shëndetësore”, thekson Pula.
Mjeku familjar ofron kujdes shëndetësor për pacientët që nga lindja e deri në pleqëri.
“Mjeku familjar ofron kujdes shëndetësor në vazhdimësi për të gjitha moshat, mundet e gjithë familja të zgjedhe. Mjeku familjarë përfshinë një spektër të gjerë, ofron edhe informacione edhe për këshillim dhe trajtim të pacientit”, shton Pula.
Përcjellja e vazhdueshme nga mjeku i njëjtë familjar mund të çojë në parandalimin e vdekjeve që vijnë nga sëmundjet kronike.
“Gjithashtu mjeku familjar, përveç diagnostikimit, bën edhe ndërhyrjet e vogla kirurgjike, bën edhe parandalim shëndetësor, pra është në çdo kontakt me pacientin. Kjo ka shumë rëndësi pasi shkaqet më të mëdha të vdekjeve në botë janë edhe sëmundjet kronike dhe mosparandalimi i tyre me kohë dhe kjo rrjedh përmes një stili të shëndetshëm të të jetuarit. Ofron edhe teste të imunizimit dhe gjithmonë inkurajon pacientin të mbajë një stil të shëndetshëm të të jetuarit. Pra ushqimin e duhur dhe largimin e duhanit e alkoolit”, thekson Pula.
Ndryshe, pacientët e kanë për obligim të kryejnë kontrollet mjekësore në QMF-të e lagjes së tyre, në të kundërtën detyrohen të paguajnë shumën prej 5 eurove në rast se ata shkojnë për kontrolle në qendrat e tjera të mjekësisë familjare që nuk janë në lagjet e tyre përkatëse.