SOT

Qytetarët e Prishtinës hasin në vështirësi për përzgjedhjen e mjekut familjar

Çdo pacient është i rëndësishëm që të ketë mjekun e tij familjar përmes së cilit mund të drejtohet edhe deri te specialistët. Por, në Kosovë kjo nuk respektohet edhe aq. Megjithëse qytetarët po detyrohen që mjekun familjar ta përzgjedhin përmes sistemit të e-Kosovës, një gjë të tillë po e kanë të pamundur shumë qytetarë për shkak të problemeve që ka ky sistem

Zgjedhja e mjekut familjar nuk është vetëm një procedurë administrative, por diçka që ndikon direkt në shëndetin tonë.

Për shkak të rëndësisë së përcjelljes së historisë shëndetësore të një pacienti, stilit të jetesës së tij dhe shqetësimeve të përditshme, është mirë që një qytetar të ketë mjekun e përzgjedhur tek i cili drejtohet çdo herë.

Megjithatë, deri më tani në Kosovë vetëm një numër i vogël i qytetarëve kanë bërë këtë zgjedhje. 

Që nga viti i kaluar, përmes sistemit e-Kosova, qytetarët janë të detyruar të zgjedhin mjekun familjar në vendbanimet e tyre, por në kryeqytet problemi është se në aplikacion janë regjistruar vetëm dy nga 18 Qendrat e Mjekësisë Familjare.

“Është projekt i përbashkët nivel i përbashkët i Ministrisë së shëndetësisë me nivelin parësor shëndetësore në projektin e përzgjedhjes së mjekut familjarë nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare. Ka filluar si pilot projekt vitin e kaluar për tre muaj rresht, e pastaj nga shtatori ka filluar si projekt pasi është gjetur si i suksesshëm. Deri më tani nuk ka ecur si duhet për shkak të një problemi i cili është në sistem, pra sistemi që bëhet përmes e-Kosova në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Në Prishtinë ka hasur në disa probleme teknike që niveli qendror nuk ka arritur të i zgjidh. Pra aty figurojnë vetëm dy qendra të mjekësisë familjare dhe jo të tjerat e që me të drejtë ankohen qytetarët se nuk po arrijnë të zgjedhin mjekun e tyre familjarë. Ne bëjmë kërkesë, rekomandime për ta zgjedh mjekun familjarë, e ata nuk mund të i zgjedhin përveç në QMF në Dardani dhe në Bregun e Diellit. Normalisht ish dashtë me qenë 18 qendra që ekzistojnë në kryeqytet të duken në e-Kosova, por është një problem teknik që pritet të zgjidhet. Me këtë do të na ndihmonte shumë edhe me numrin e saktë të atyre që zgjidhni mjekun familjarë, por edhe me ata që jetojnë në kryeqytet por vendbanimin e kanë diku tjetër”, deklaron drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bujar Gashi. 

Ai thekson se është e rëndësishme që çdo qytetar të zgjedhë qendrën e lagjes së tij.

“Edhe ligji për shëndetësi iu garanton shërbime mjekësore të nivelit parësorë qytetarëve në lagjet e tyre. Kjo është menduar në mënyrën më të mirë të mundshme që qytetarët të kenë shërbime shëndetësore sa më afër vendbanimit të tyre. Nuk mund t’i ofrosh shërbim një qytetari që jeton në Hajvali në QMF-në në Kodrën e Trimave, por koncepti shkon në këtë frymë. Prandaj është rekomandimi të zgjidhet qendra më e afërt në e-Kosova”, deklaron Gashi.

Në një sistem shëndetësor të ngarkuar, mjeku familjar është udhërrëfyesi i pacientit, duke orientuar drejt kujdesit të duhur dhe specialistëve kur është e nevojshme.

“Jo domosdoshmërish pesë anëtarë të kenë mjekun e njëjtë. Pra kjo është punë edhe e preferencës. Por fëmija i porsalindur shkon te mjeku i nënës dhe babait pasi ai nuk mund të zgjedh vet mjekun. Të tjerët kanë të drejt të zgjedhin kë donë. Mjeku familjarë që shumë vite është përgjegjës prej moshës 1 mujore. Është dera e parë që duhet të trokitet e nuk mund të shkoj as te pediatri, as te internisti pa kaluar në nivelin parësorë, pra pa kaluar kah mjeku familjarë. Atëherë është detyrimisht edhe ai fëmijë që i ka 1 muaj duhet të lajmërohet te mjeku familjarë për një vizitë pastaj duhet të referohet diku tjetër”, thotë Gashi.

Zgjedhja e mjekut familjar është një hap i vogël, por me ndikim të madh për shëndetin dhe mirëqenien afatgjate të pacientit thotë mjekja familjare Albana Morina. 

“Mjeku familjarë është i paraparë të ofrojë shërbime prej 2000 deri në 3000 pacientë, pra i ofron shërbim vetëm asaj pjesë që i është caktuar ku do të thotë se prej të gjithë këtyre pacientëve nuk janë të gjithë të sëmurë. Një pjesë janë fëmijë e të rinj që jo çdo herë kanë nevojë për trajtim, mjafton ndonjëherë vetëm këshilla për ndryshim të stilit të jetesës mund të arrihen të parandalohen shumë sëmundje. Pra është më e lehtë qoftë për pacientin, qoftë për mjekun”, deklaron ajo.

Përderisa sistemi nuk po funksionon, Morina thotë se ka raste kur pacientët e kërkojnë vetë në sportel mjekun e tyre. 

“Kanë filluar të kërkojnë mjekun e  vet po duhet të bëhet promovimi sa më i madh se është e rëndësishme që çdo pacientë të shkojë te mjeku i vet. Ka raste se kontrollin e parë e bën tek një doktor e pas marrjes së analizave rezultatin e dërgon te një mjek tjetër dhe ai pacientë çdo herë e ka vizitën e  parë dhe asnjëherë nuk arrin të bëj vizitë të dytë mjekësore”, shton Morina.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me problemet në sistem, por nuk ka marrë përgjigje.