Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia vazhdon të gjejë armë e municion në veri

Armatime - veri

Policia e Kosovës ka gjetur armatim e mjete shpërthyese në një shtëpi të braktisur në Varagë të Zubin Potokut. Policia ka njoftuar se ato janë larguar me ndihmën e deminuesve. Në institucionet e sigurisë besojnë se lënia e armëve në hapësira ndër të tjera tregon se si pronarët ilegalë të tyre përpiqen ta heqin nga vetja armatimin

Armë zjarri, mjete shpërthyese e uniforma ushtarake ka gjetur Policia e Kosovës në një shtëpi të pabanuar në fshatin Varagë të Zubin Potokut. 

Policia ka njoftuar se eksplozivin e ka larguar njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Policia gjatë  patrullimit – kontrollit në  një shtëpi të pa banuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një AK-47  me pesë karikator  të mbushur me 68 (gjashtëdhjetë e tetë) fishekë, dy uniforma të kamufluara, pajisje për pastrimin e armëve dhe një granatë dore,  ku këtë të fundit e kanë tërhequr njësiti i EOD-së.  Është njoftuar prokurori, rasti dhe rasti është nën hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë të dielën.

Në veri të vendit për më pak se tre muaj të këtij viti janë gjetur armë në të paktën 9 lokacione të braktisura. 

Armatim, eksploziv e uniforma u gjetën në dy lokacione në Varagë, pastaj në Jagnjenicë e Dobroshevinë të Zubin Potokut, në Zhitkoc, Joshevik, Rudar të Vogël të Zveçanit, në Lagjen Bërgjan të Mitrovicës së Veriut dhe Jashanicë të Leposaviqit. 

Burime në organet e sigurisë kanë thënë se bodrumet e shtëpive e banesave si dhe pusetat e kanalizimeve janë përdorur për t’u fshehur armët kur ato planifikoheshin të përdoreshin kur t’iu kërkohej nga Serbia. 

Ndërsa, për armët që janë gjetur në shtëpi të pabanuara, këto burime kanë thënë se ato janë braktisur nga persona që frikësoheshin se do t;u gjendeshin, e të tilla, sipas tyre, ishin edhe armatimi i gjetur në Varagë. 

Në këtë fshat vitin e kaluar u krye edhe sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit, por që burimet në organet e sigurisë nuk e lidhin gjetjen e armatimit me këtë sulm.  

Statistikat e Policisë tregojnë për rritje vit pas viti të konfiskimit të armëve në nivel vendi. 

“Policia e Kosovës ndër vite konfiskon numër të konsiderueshëm të armëve ilegale dhe municionit, ku gjatë vitit 2025 krahasuar me periudhën e vitit paraprak 2024, ka një rritje të konfiskimit të armëve prej 10.60%  dhe municionit rritje prej 17.64%. Në vitin 2024 janë konfiskuar 1746 armë ilegale, krahasuar me vitin 2025 ku janë konfiskuar 1931 armë ilegale, rritje prej 10.60%. Në vitin 2024 janë konfiskuar 33250 municion i kalibrave të ndryshëm, krahasuar me vitin 2025 ku janë konfiskuar 39116 municion i kalibrave të ndryshëm, rritje prej 17.64%”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sasia më e madhe që e kanë konfiskuar ndonjëherë institucionet në një vend të vetëm kanë qenë armët që i lanë pas sulmuesit e grupit terrorist në Banjskë për të cilat Prokuroria Speciale beson se u përdorën dhe synoheshin të përdoreshin për ta shkëputur veriun e banuar kryesisht me serbë nga Kosova. 

Armët e shumta, përfshirë të kalibrave të mëdhenj, vlerësohet se kapin vlerën rreth pesë milionë euro dhe ishin të prodhuara në fabrikat e armëve në Serbi.