Dy hetuesit policorë të Krimeve të Rënda janë suspenduar në vitin 2016, disa javë pasi kishin përgatitur kallëzimin penal kundër gjashtë personave për aferën e fajdeve.
Pasi që janë larguar nga ky rast, të dy hetuesit, sipas burimeve të Kohës Ditore, janë suspenduar për disa muaj.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Kohën Ditore Policia e Kosovës përmes një përgjigjeje me shkrim. Sipas Policisë, suspendimi është bërë për një rast tjetër.
Lexo edhe: Shefat e hetimeve të përfshirë në amnistinë e të dyshuarve për fajde
Rekomandimi për suspendim është bërë rreth dy javë pasi hetuesve u është marrë rasti, ndërsa suspendimin ua ka vërtetuar Komisioni për Ankesa disa muaj pas.
“Suspendimi i dy policëve nuk ka të bëjë fare me rastin në fjalë, por ka të bëjë me një rast tjetër për të cilin është zhvilluar procedurë disiplinore nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ku më datë 9.8.2017, Komisioni i Brendshëm Disiplinor dy policëve të lartcekur u ka shqiptuar masë disiplinore, ndalesë në pagë 20% nga paga mujore bruto për një (1) muaj. Të njëjtën masë Komisioni për Ankesa në PK ka vendosur që të mbetet në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës dhënë gazetës.
Në një shkresë, të cilën e ka parë gazeta, thuhet që suspendimi i këtyre dy zyrtarëve ka ardhur si pasojë që këta policë kanë ngritur dyshime në lidhje me shefin e tyre, që në këtë rast është Fadil Gashi.