Arbëri

Dy shefat policorë që degraduan hetimin për “rastin Dalladaku” duke e transferuar në Ferizaj

Dy shefat e hetimeve në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti e Fadil Gashi, kishin marrë vendim në vitin 2016 që hetimi mbi dyshimet për fajde, mashtrim e detyrim - të shpërfaqura përmes videove që u bën publike së fundi, e ku përmenden edhe Kadri Veseli e Xhavit Haliti - të transferohet në Ferizaj.

Sipas burimeve të Kohës Ditore dhe shkresave në të cilat ajo ka pasur qasje më 7 nëntor të vitit 2016, dy hetuesit e Krimeve të Rënda në Prishtinë e kanë shkruar kallëzimin penal dhe të njëjtin kanë planifikuar ta procedojnë në Prokurorinë Speciale.

Një burim i ka thënë Kohës Ditore se me këtë datë kallëzimi penal ka shkuar në e-mailin e drejtorit të Krimeve të Rënda, Fadil Gashi, me porosinë që ai duhet ta nënshkruajë për t’i dorëzuar më pas në Prokurorinë Speciale. Dy ditë më pas, sipas burimeve të gazetës, Policia e Kosovës ka marrë vendim që ky rast nga Krimet e Rënda t’i transferohet Njësisë së Krimeve Ekonomike në Policinë e Ferizajt.

Përveç nga burimet, bartja e rastit nga Prishtina në Ferizaj është e faktuar edhe nga shkresat e hetuesisë që posedon “Koha Ditore”. Në një nga shkresat thuhet se një hetues policor i Stacionit në Ferizaj, identiteti i të cilit është i njohur për gazetën, është takuar me drejtorin e Krimeve të Rënda (v.j. Fadil Gashi) dhe ish-shefin e Sektorit të njësive rajonale për hetimin e krimeve ekonomike (v.j. Nazim Sahiti).

Lexo edhe: Shefat e hetimeve të përfshirë në amnistinë e të dyshuarve për fajde

“Më datën 9.11.2016, hetuesi, rreshter NN së bashku me shefin e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka shkuar në Departamentin e Përgjithshëm të Policisë (v.j. Qendër-Prishtinë), ku kemi biseduar me drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda (v.j. Fadil Gashi) dhe shefin e Sektorit të Njësive Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (v.j. Nazim Sahiti), ku kemi biseduar lidhur me rastin në fjalë dhe na është kërkuar që ky rast të trajtohet në Njësinë Hetimore të Krimeve Ekonomike në Ferizaj. Më datën 17 është dorëzuar komplet materiali në Ferizaj”, thuhet në njërën nga shkresat e fundit të nëntorit të vitit 2016, të cilën e ka në posedim gazeta.

Policia e Kosovës është pyetur për transferimin e këtij rasti dhe për kallëzimin penal ku pretendohet se dëmi atëkohë ka qenë 1 milion euro. Në përgjigjen e saj PK-ja ka sqaruar vetëm procedurën standarde.

“Më datën 29.1.2018, PTH-së Ferizaj, NJHRKEK/Ferizaj, i ka dorëzuar për procedim të mëtejmë kallëzimin penal me numër 2016-DKR-33, të datës 25.1.2018, me të gjitha provat e grumbulluara (ndaj të dyshuarve: RR.H.; K.R. dhe E.L.) Pas përfundimit të procedurës hetimore, me provat e mbledhura e të ndërlidhura edhe me provat e siguruara gjatë fazës fillestare të hetimeve nga ana e hetuesve, është krijuar baza juridike e dyshimit të bazuar mirë se të inkriminuarit kanë kryer veprat penale të sipërcekura. Për rrjedhojë, më 21 mars 2018 është ngritur aktakuza nga Prokuroria Themelore Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, e protokolluar me nr. PP.II.nr. 335-7/2018.”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Gazeta ka tentuar të kontaktojë edhe ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit special, Afrim Shefkiu. Ai ka kërkuar nga gazeta që pyetjet t’i drejtohen me shkrim. Por, me gjithë që i janë adresuar ato, Shefkiu dhe Prokuroria Speciale nuk u janë përgjigjur ende pyetjeve të Kohës Ditore.