Policia e Kosovës ka apeluar te pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht për drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me borë dhe ngrica.
Nëpërmjet një komunikate, policia ka kërkuar të respektohen shenjat e trafikut rrugor dhe të përshtatet vozitja me kushtet në rrugë.
Në të kundërtën, nga ky institucion është paralajmëruar se do të ndërmerren masa ndaj atyre që bien ndesh me ligjin, në mënyrë që të reduktohen aksidentet dhe për t’u krijuar një siguri më e madhe në rrugë.
“Referuar reshjeve të borës dhe paraqitjes së ngricave nëpër rrugë, krijohet vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, prandaj Policia e Kosovës vazhdon të kërkoj nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent. Posedimi i pajisjeve dhe gomave të dimrit është i detyrueshëm për të mundësuar qarkullim më të lehtë dhe më të sigurt me automjet gjatë kësaj periudhe”, thuhet në njoftimin e policisë. “Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet. Policia e Kosovës me njësitet e saj po ndërmerr dhe do të ndërmerr masa ndaj atyre që bien ndesh me ligjin, me të vetmin qëllim reduktimin e aksidenteve dhe krijimin e një sigurie më të madhe në rrugët tona”, përfundon njoftimi.