Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia apelon për kujdes në rrugët me borë dhe ngrica, sidomos për veturat me goma vere

Ilustrim

Ilustrim

Pas borës së madhe që ka mbuluar të martën Kosovën, Policia ka apeluar që ngasësit të kenë kujdes në trafik. Në një apel publik, Policia u ka bërë thirrje për kujdes sidomos automjeteve që aktualisht kanë goma të verës.

“Edhe pse jemi në stinën e pranverës dhe shumica e automjeteve në qarkullim mund të jenë me goma të verës, pas paralajmërimit se këtë javë gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit do të mbizotërojë mot me temperatura të ulëta (reshje të shiut, në lokacione të ndryshme mundësi për reshje bore, rrjedhje të ujit në rrugë e po ashtu edhe dëmtim i asfaltit dhe krijim i gropave), kërkohet nga shoferët që të shtohet kujdesi gjatë qarkullimit në rrugë, ku me rënien e temperaturave krijohen ngrica që rrezikojnë seriozisht pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në apelin e Policisë.

Bazuar në këto kushte, Policia ka apeluar për përqendrim maksimal të shoferëve, mbajtje të distancës, përdorim të rripit të sigurisë, respektim të kufizimit të shpejtësisë, mospërdorim të telefonit e shmangie të manovrave.

Mot me temperatura të ulëta pritet të mbajë edhe disa ditë.