Policia e Kosovës ka gjobitur Partinë Demokratike të Kosovës me 2000 euro për shkelje të masave anti-COVID në një tubim në fshatin Rezallë të Skenderajt të dielën në mbrëmje.
Në një njoftim të martën, Policia ka thënë se organizatori s’kishte krijuar kushte për mbajtje të distancës, ndërsa pjesëmarrësit s’kishin bartur maska. Shkelje tjetër ka qenë tejkalimi i numrit të lejuar të pjesëmarrësve në hapësirat e jashtme e tubime publike.
Për tubimin pati njoftuar në rrjete sociale, kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku dhe kandidati i kësaj partie për të parin e Skenderajt, Fadil Nura. Në fotografitë e postuara nga ta shihet numri i madh i të pranishmëve në lagjen Deliu të fshatit Rezallë. Lushtaku qe propozuar nga PDK-ja si kandidat për zgjedhjet lokale të tetorit, por i është mohuar certifikimi për shkak të dënimit me vendim të prerë për arratisje nga Burgu i Dubravës. Në vend të tij, PDK-ja kandidoi me Fadil Nurën.
Për këtë dega e PDK-së në Skenderaj ka thënë se “në të gjitha aktivitete publike parazgjedhore është duke i respektuar masat për mbrojtje nga infeksioni me COVID-19”.
“Edhe pse interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në takime është shumë i madh, ne kemi kërkuar dhe kemi aplikuar në vazhdimësi pjesëmarrje të kufizuar, duke respektuar distancën dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse. Për të shmangur rrezikun nga infeksioni të gjitha takimet po mbahen më ambient të hapur dhe duke ruajtur distancën e nevojshme”, thuhet në reagim.
PDK-ja e ka akuzuar Policinë se po përdor qasje selektive krahasuar me subjekte tjera politike.