Një ditë pas arrestimit në Tiranë të asamblistit të Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, dhe katër të tjerëve, Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk treguan nëse bashkëpunuan për këtë rast. Mujeci, që u zu në flagrancë duke trafikuar narkotikë, ndodhet në mbajtje. Ai do të mund ta humbë mandatin nëse mungon në tri seanca të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ose nëse do të dënohet me burgim efektiv prej më shumë se gjashtë muajsh.
Organet e sigurisë së Kosovës nuk u përmendën në konferencën e së martës të Policisë së Shqipërisë, kur u kumtua lajmi për arrestimin e asamblistit Besnik Mujeci dhe katër personave të tjerë, të cilëve iu gjetën 11 mijë e 300 tableta të dyshuara si drogë e rëndë, ekstazi.
KOHA ka kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, mirëpo nuk ka marrë përgjigje nëse këto institucione kanë bashkëpunuar në procesin e hetimit për këtë rast.
Mujeci ndodhet në mbajtje në Shqipëri. Gjykata e Rrethit në Tiranë nuk u është përgjigjur pyetjeve lidhur me caktimin apo mbajtjen e seancës për masën e sigurisë për të pandehurit. E Kushtetuta e Shqipërisë i obligon gjykatat që masën t’ua caktojë të pandehurve brenda 48 orësh pas arrestimit, por u lë atyre edhe kohë shtesë prej 48 orëve të tjera.
“Personi të cilit i është hequr liria, sipas nenit 27, paragrafi 2, nënparagrafi “c”, duhet të dërgohet brenda 48 orëve përpara gjyqtarit, i cili vendos paraburgimin ose lirimin e tij jo më vonë se 48 orë nga çasti i marrjes së dokumenteve për shqyrtim”, thuhet në nenin 28 të Kushtetutës së Shqipërisë.
Përmes Dhomës së Avokatëve në Tiranë, KOHA ka bërë përpjekje të vërë kontakt me avokatët e pesë të pandehurve, porse zyrtarë të saj nuk kanë ofruar përgjigje me arsyetimin se ndodhen në pushim.
Asamblisti Mujeci është përjashtuar nga anëtarësia dhe forumet e Vetëvendosjes disa orë pasi u arrestua në flagrancë, bashkë me një shtetas tjetër të Kosovës dhe katër shtetas të tjerë të Shqipërisë.
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale nuk parasheh që një anëtar i Kuvendit Komunal humb mandatin me rastin e arrestimit apo paraburgimit.
E, Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, tregon rrethanën kur Mujeci mund të mbetet pa ulësen e asamblistit të Prishtinës.
“Në rast se Besnik Mujecit do t’i vazhdohet masa e paraburgimit në shtetin shqiptar apo edhe nëse një masë e tillë do të zbatohet në Kosovë dhe përgjatë kohëzgjatjes së kësaj mase Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë tri mbledhje – ku konstatohet mosprania e tij – atëherë iniciohen procedurat për zëvendësimin e tij nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës. Mundësia e fundit është që në rast se Besnik Mujeci do të dënohet me vendim të formës së prerë për veprat penale me të cilat ai ngarkohet, me burgim prej mbi 6 muajsh, atij do t’i humbë mandati”, ka thënë Cakolli.
Sipas Cakollit, pas arrestimit Mujeci duhet të japë dorëheqjen, për shkak të cenimit të mandatit.
Gjatë operacionit të arrestimit Mujecit dhe katër të tjerëve iu gjetën mbi 11 mijë pilula ekstazi me vlerë tregu rreth 400 mijë euro, e që policia e Shqipërisë dyshon se janë trafikuar nga Kosova dhe kishin për destinim bregdetin e frekuentuar shqiptar.