Arbëri

Policia apelon për kujdes me fishekzjarrë

Në prag të festave të fundvitit, Policia rajonale e Prizrenit ka bërë thirrje që qytetarët të kremtojnë në mënyrë të përgjegjshme. Për këtë arsye ka realizuar edhe fushatën ndërgjegjësuese me sloganin: “Festo me zemër, jo me armë”.

Zyrtarët policorë gjatë javës në Prizren kanë shpërndarë fletëpalosje me këshilla për qytetarët, me qëllim që periudha festive të kalojë pa incidente e pa lëndime.

Kjo nismë është vlerësuar si e qëlluar nga qytetarët, të cilët kanë theksuar se për çdo vit po ka të dëmtuar, si nga armët e zjarrit ashtu edhe nga fishekzjarrët.

"Normal, mos të përdorin armë se po dihet pa u dëmtuar dikush çdo vit ashtu po ndodh, po lëndohet ndonjë fëmijë...", ka deklaruar Merita Bekqeli.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj, ka theksuar se qëllimi i kësaj nisme është parandalimi i rrezikut për jetën e pronën e qytetarëve.

"Kemi filluar me një projekt për të sensibilizuar qytetarët dhe banorët e rajonit të Prizrenit që të jenë të kujdesshëm gjatë festave të fundvitit, të mos përdorin armë, të cilat mund të rrezikojnë jetën e tyre, jetën e qytetarëve të tjerë, por edhe pronën e banorëve të këtij rajoni", tha ai.

Sipas tij, në fletëpalosje ka edhe informata për përdorim të kujdesshëm të fishekzjarrëve, marrë parasysh të dhënat se sivjet janë importuar mbi 100 tonë mjete piroteknike.

“Kemi mbi 100 tonë që kanë hyrë mjete piroteknike në Republikën e Kosovës, bazuar në këto të dhëna ne po i marrim masat paraprakisht që gjatë përdorimit të këtyre mjeteve piroteknike ti evitojnë rreziqet që mund ti kenë për fëmijët e tyre, për të rriturit apo në përgjithësi për qytetarët”.

Policia e Prizrenit, në kuadër të angazhimeve të saj gjatë fundvitit, do të shtojë praninë në sheshe e ambiente të mbyllura, sikurse edhe në trafikun rrugor që festat të kalojnë pa incidente dhe pa aksidente.