Është pezulluar të premten greva e punëtorëve të administratës së Pallatit të Drejtësisë, e nisur më 1 mars. Punëtorët do t'i rikthehen punës nga e hëna.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka qenë të premten i pranishëm në Pallat të Drejtësisë ku ka kërkuar nga stafi administrativ që ta prezullojnë grevën.
Zogaj u ka kërkuar atyre që ta pezullojnë grevën deri në hartim e Ligjit të Pagave dhe Ligjit për Administratë Gjyqësore.
Gjykatës Themelore e Prishtinë ishte ajo që e nisi grevën, mirëpo më pas iu bashkuan edhe administrata e Gjykatës së Apelit dhe i gjithë stafi i administratës në Pallatin e Drejtësisë.
Kërkesat grevistëve ishin: Aprovimi i Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive duke u bazuar në Projektligjin për Plotësim dhe Ndryshim të Ligjit për Zyrtar Publik; Përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga; Pagesa e shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro.