Palët në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe në atë të Apelit ka disa ditë që shkonin e ktheheshin pa kryer punë.
Arsyeja ishte që punonjësit e administratës që nga 1 marsi nuk ofronin shërbime, përveç atyre esenciale.
Ata kishin hyrë në ditën e 18-të të grevës, nëpërmjet së cilës prisnin realizimin e disa kërkesave, ndër të tjera, rritje pagash, kompensim të shpenzimeve të udhëtimit dhe të ushqimit.
Protesta e tyre nëpër korridore të premten qe më ndryshe.
Ata u njoftuan nga kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi, se një ujdi mes tyre e Këshillit Gjyqësor ishte arritur.
Bashkë me ujdinë që e kishin vendosur në letër, në Gjykatën Themelore mbërriti edhe kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.
Zogaj u kërkoi pezullim të grevës, deri në hartimin e Ligjit të pagave dhe Ligjit për Administratën Gjyqësore. Ndërsa, kërkesat e punëtorëve tha se ia ka adresuar Qeverisë.
“Edhe në qoftë se nuk ndërpritet greva, kërkesën që e kemi nënshkruar dhe kemi premtuar që do ta mbështesim deri në fund, ne e kemi dorëzuar në Qeveri pavarësisht epilogut të grevës. Por, sugjerimi ynë është që greva të ndërpritet menjëherë, për shkak të dëmit të jashtëzakonshëm që po i shkaktohet gjyqësorit dhe për shkak të efektit që e ka arritur deri më tash”, tha Zogaj.
Por, pati edhe të tillë që kundërshtuan pezullimin, meqë druheshin se mund të përsëritej situata si me grevën e 2018-s, që ishte pezulluar deri në mars të këtij viti.
E kryetari i Sindikatës, Naim Rrustemi para se të kërkonte miratimin e anëtarëve për pezullim të grevës, deklaroi diçka, të cilën Zogaj sa qe i pranishëm nuk e tha.
“Kryesuesi i KGJK-së atje ka thënë në mënyrë decidive, vjen Ligji për Pagat, vijnë koeficientet, nuk dilni mirë, nuk dalim mirë, ai është zotuar, ju keni me hy në grevë unë ju mbështes, do t’ia vendos drynin Këshillit. Unë kam me pri para juve, kaq”.
Pas kësaj deklarate, punëtorët, ndonëse me kundërshtime aty-këtu, u pajtuan që ta pezullojnë grevën për 5 muaj.